Gjuha letrare - një zhvillim i natyrshëm apo plan ogurzi?


Një nga temat që lidhet me periudhën e diktaturës e që ngjall më shumë kundërshti  është padyshim çështja e caktimit dhe adoptimit së gjuhës letrare, ose siç quhet ndryshe gjuhës "standarde". Për këtë temë janë bërë debate, janë hedhur akuza e janë ngritur gjithfarë teorish konspirative, të cilat, kush më shumë e kush më pak, vërtiten të gjitha rreth idesë që gjuha letrare është vendosur me urdhër nga lart, pra nga regjimi, me qëllim politik ogurzi, përgjithësisht në kuadrin e shtypjes e diskriminimit të gegëve dhe gegërishtes dhe dominimin e toskëve dhe toskërishtes.

Mirëpo një studim i thjeshtë historik nxjerr menjëherë në pah mangësitë e këtyre teorive e akuzave. Prova e parë dhe më ashiqare që e hedh poshtë pretendimin se gjuha letrare është caktuar gjatë diktaturës është gjuha zyrtare e përdorur nga administrata në kohën e Zogut. Pa i hyrë dokumentacionit të periudhës në detaje, unë do të mjaftohem me tekstin e shkruar në faqen e pasaportës shqiptare të periudhës kur Zogu ishte shpallur mbret. Këtë tekst e njeh mirë i madh e i vogël, pasi ajo publikohet vazhdimisht si burim frymëzimi në mediat sociale. Po të vështrojmë me kujdes përmbajtjen e këtij teksti do të vëmë re që ndonëse në pamje të parë duket sikur është shkruar në gegërisht, në të vërtetë asnjë geg në kohën e zogut nuk shprehej në këtë mënyrë në dialektin e vet, as në dialektet e Shqipërisë së mesme, e aq më pak ato të veriut e të Kosovës, nga ku vijnë edhe kritikat më të mëdha, të cilat për kryeqytetasin apo jugorin e zakonshëm edhe sot e kësaj dite janë shpesh herë të pakuptueshme. 

Faqja e parë e pasaportës shqiptare në kohën kur Zogu ishte mbret.

Përkundrazi, ky tekst është lehtësisht i kuptueshëm nga të gjithë shqiptarët që zotërojnë mirë gjuhën letrare. Nëse elementët gege i zëvendësojmë me ato toske, struktura e fjalisë mbetet po ajo. Pse? Sepse duket qartë që gjuha e shkruar në faqen e pasaportës është në fakt paraardhëse e gjuhës letrare që u standartizua në vitin 1972 gjatë regjimit. I vetmi ndryshim është shqiptimi i disa fjalëve dhe prapashtesat e tyre, pra elementë që mund të konsiderohen më shumë dekorative se sa gramatikore. Këtu gramatika është qartësisht gramatika e gjuhës moderne letrare dhe çfarë bie më shumë në sy është mungesa absolute e përdorimit të paskajores.

Gjuha letrare filloi të merrte formë shumë dekada përpara se pushtetin ta merrnin “komunistët e jugut”. Është mëse e qartë që kjo gjuhë bashkoi tipare gjuhësore të dialekteve të ndryshme, sidomos në mënyrën e formimit të fjalive, dhe i dha jetë gjuhës moderne letrare që paraqitet në këtë fotografi. Do të mjaftonte vetëm kjo provë për t’i dhënë një herë e mirë fund diskutimit mbi origjinën e gjuhës letrare, por unë do të shkoj më tej. 

Në vazhdim të diskutimit po sjell një provë tjetër, po nga periudha e Zogut, që mbështet argumentin që parashtrova më sipër. Në videon e mëposhtme shfaqet Zogu në cilësinë e mbretit duke mbajtur një fjalë të shkurtër përpara oficereve të ushtrisë. Nga këto pak minuta sekuencë mund të dallohet qartë që ai nuk është duke folur në dialektin e tij matian dhe as në ndonjë dialekt tjetër geg, por në të njëjtën gjuhë letrare që paraqitet në faqen e pasaportës së mbretërisë. Madje, ai edhe theksin e Matit përpiqet ta fshehë duke adoptuar një theks letrar paksa të sforcuar.


Transkriptimi i fjalës së Zogut: “Jam veçanërisht i lumtur të konstatoj, të vështroj me sytë e mi, hapat e forta që ushtria shqiptare ban, kundrejt disiplinës, edhe kundrejt përparimit. Tuj bërtit, “Rroftë ushtria armate! Rroftë fuqia armate e kombit shqiptar!”

Lind pyetja, kush e detyroi Zogun të përdorte këtë variant të gjuhës dhe jo një tjetër geg? Pse e konsideron Zogu të nevojshme t’i drejtohet ushtrisë me këtë të folur dhe jo me një tjetër, më lokaliste!? Mos ndoshta fakti që kjo gjuhë kishte filluar të merrte formë natyrshëm si gjuha e përbashkët dhe si varianti më i përshtatshëm për të komunikuar me të gjithë shqiptarët, gegë e toskë bashkë?

Megjithatë, unë nuk do ndalem vetëm tek periudha e Zogut por do të vazhdoj hulumtimin më tej, kësaj radhe në thellësitë e shekujve, përkatësisht në shekujt XVI-XVII, në kohën e Gjon Buzukut, Pjeter Budit e Pjetër Bogdanit. Me Mesharin e Gjon Buzukut jam njohur para disa vitesh krejt rastësisht, duke parë video në YouTube. Unë nuk e kam bërë shkollën e mesme në Shqipëri dhe për këtë arsye nuk kam pasur mundësinë të njihem me detyrim, as me shkrimtarët e vjetër shqiptarë dhe as me analizat që gjuhëtarët u kanë bërë atyre, kështu që lexuesi do të më falë nëse bëj ndonjë “zbulim” gjëra që gjuhëtarët mund t’i kenë përmendur këtu e dekada përpara se unë të lindja.

Ja një pjesë nga teksti i Mesharit të Gjon Buzukut:

“E u' ma due të enbaronj vepërënë teme, Tinë Zot tue përqyem. Endë vjetët MDLIV njëhzet dit endë mars zuna enfiill e enbarova end vjetët MDLV, endë kallënduor V dit.

E se për fat në keshë kun enbë endonjë vend fëjyem, u duo tuk të jetë fajtë, ai qi të jetë ma i ditëshim se u', ata faj e lus ta trajtonjë endë e mirë.

Përseh nukë çuditëm se në paça fëjyem, këjo tue klenë ma e para vepërë e fort e fështirë për të vepërum enbë gluhët tanë.”

Si është e mundur që një prift katolik geg i lindur e rritur në skajin më verior të shqiptarisë, në Tivar Mal të Zi, të fliste në shekullin XVI me një gjuhë që ngjason më shumë me toskërishten e vjetër se sa me gegërishten moderne!? Si është e mundur që në gjuhën e Gjon Buzukut nga Mali i Zi figurojnë elementë si "mbë", "ndë", "tue klenë" ose "gluhët" të dialektit çam? Ky “zbulim” më ngjalli një kureshtje të jashtëzakonshme dhe më shtyu që t’i futem studimit të mëtejshëm të autorëve të vjetër shqiptar. Ajo që zbulova është se edhe tek Pjetër Budi, i cili ka lindur në Mat, dhjetë vjet pas vdekjes së Gjon Buzukut, vihet re i njëjti fenomen. P.sh. në poezinë me titull "O i pafat njeri" ai nuk shkruan me dialekt tipik të Matit të sotëm, apo me dialekt që të ngjajë me shkrimtarët gegë të shekullit XX, por me një dialekt që ka edhe elementë të toskërishtes.

Ja disa vargje nga poema e Pjetër Budit me titull O i pafat njeri:

“O i pa fat njeri
Gjithë ndë të keq harrum,
I dhanë ndë madhështi,
Ndë mkat pshtiellë e ngaterrum…

…Kaha të vien n dorë ty
Mbë të madh me u lëvdum
Ndë sqimë e ndë madhështi
Tinëzot me kundrështum?”

Në këto vargje dallohen qartë elementët e toskërishtes: "ndë të", "mbë të", "ndë sqimë", "tinëzot", "kundrë+shtum", etj. Të njëjtën gjë bën edhe Pjetër Bogdani, i cili ka lindur në Kosovë tre vjet pas vdekjes së Pjetër Budit në 1625 dhe gjithë jetën e tij e ka kaluar në ato vise. Në veprën e tij "Çeta e profetëve" (1685) ai nuk ka shkruar me asnjë nga dialektet kosovare që njohim sot e që një nga Tirana apo nga jugu nuk i kupton fare, por me një gjuhë që ndonëse ka filluar të marrë trajtën e një dialekti të mirëfilltë geg, vazhdon të ruajë shumë elementë të ngjashëm me toskërishten.

Pasi konstatova këto dhe disa gjëra të tjera, vetvetiu më lindi pyetja: "Nëse krahasojmë shqipen letrare që përdorim sot, një variant të së cilës e përdorte edhe Zogu, me gjuhën e Bogdanit të Kosovës në vitin 1685, sa fjalë prej kësaj gjuhe janë trashëguar tek ajo letrare dhe nëpërmjet cilit dialekt? Gegërishtes apo toskërishtes? Më poshtë kam përpiluar një tabelë me 47 fjalë nga vepra e Pjetër Bogdanit me titull "Çeta e Profetëve". Secila nga fjalët e shkëputura ka ngjyrë të gjelbër. Poshtë tyre janë vendosur krah për krah dy versionet e fjalës, në gegërisht me ngjyrë blu dhe toskërisht me ngjyrë portokalli. Poshtë këtyre është vendosur fjala në gjuhën letrare që përdorim dhe lidhja me dialektin nga i cili është trashëguar.

Trashëgimi e fjalëve të gjuhës letrare nga shqipja e vjetër e Bogdanit.
Për ta parë foton në madhësinë e vërtetë klikoni mbi foto me të majtën dhe pastaj klikoni me të djathtën>Open image in new tab.

Nga kjo tabelë del se 21 fjalë janë trashëguar nëpërmjet dialekteve toske, 12 nëpërmjet dialekteve gege, kryesisht atij shkodran (sipas mendimit tim), dhe 12 nëpërmjet të dy dialekteve njëkohësisht. 2 fjalë nuk përdoren në gjuhën letrare. Nga ky rezultat dalin shumë konkluzione të rëndësishme, sidomos për lëvizjen e shqiptarëve në Ballkan dhe ndarjen e dialekteve, por për temën që po trajtojmë këtu ka rëndësi fakti që gjuha letrare që përdorim sot i ka rrënjët shumë më të thella se sa periudha e diktaturës komuniste. Madje mund të themi me bindje se gjuha letrare është një gjuhë e trashëguar dhe përfaqëson me dinjitet si gegërishten e autorëve të vjetër ashtu dhe strukturën gramatikore të dialekteve moderne gege.

Më poshtë do të marr për shembull edhe tre tekste të tjera të vitit 1805 të shkruar nga punonjësit e Vatikanit. Ato janë lutja themelore për Zotin në tre dialekte të ndryshme të shqipes, njëri është dialekti i veriut sepse atje janë edhe katolikët, njëri është dialekti i shqiptarëve të Kalabrisë dhe njëri është dialekti i shqiptarëve të Siçilisë.

Epitorica (e ka fjalën për Epirus Nova, që është veriu i Shqipërisë)

O atij yne që je mbë qiell, shejtnum kiostë emënitë tat; artë perëndia jote. U bashtë vullndetia jote sikundrë se mbë qiellt, ashtu ende mbë dhet. Bukënë tanë të perdishçimenë epne sod. E na ndëje ne detyterët (debitet-fajet) tona, po sikundrë se ende ná ndëjejmë detorisetë (debitoret-borxhlinjte) tanë. E mos na le me ram ndër keq; po na largo gjithë nzë keqi (me) shkit.

Amen

Greco-Siculo (greco do të thotë ortodoks)

Tata jinë që je në qiej, shetruarë klost embri jit. Jart regjria (regnum-mbreteria) jote. Bojrë klost vullema (vullneti) jote ashtu në qiejt, si në dhe. Buknë tënë të dishçmen emna sot. E ndiena mkatetë tona si na ndienjëmë armikëtë tënë. E të mo i biemë ën pirazmo (faj/mekat); ma lirona ka gjët e liga.

Ashtu klost.

Greco-Calabrensis

Tata in çë je në kielë, klot bekuar embri iti; boje të rinjëme (regnum-mbreteroje) dë parrajsë. Klot bërë si do ti, kështu dë kielë si dë prë dhe. Vëna bukënë ga dita. E dëllenë si ne dëllenemë nëmikitë tona. E bë të mos e vemi në dozë të pa lig udhë; e të mos e kemi këqi.

E klot ashtu.

Nga tekstin me titull Epirotica, që është ai i veriut, mund të vëmë re se ky variant i gegërishtes është shumë më i ngjashëm me toskërishten se sa me çdo dialekt to sotshëm geg, nga Elbasani deri në Mitrovicë. Gjithashtu këtu tregohet se si edhe vetë dialektet e jugut kanë dallime nga njëri-tjetri.

Çështja e fundit që do të diskutoj për këtë temë janë dy arsyet kryesore pse kjo gjuhë sot duket sikur është më afër me toskërishten se me disa nga dialektet e Shqipërisë së veriut dhe Kosovës. Por para se t’i rendis ato duhet të kuptojmë më parë, sidomos ata gegë që nuk e njohin mirë toskërishten, se si është toskërishtja e vërtetë, ajo e folur në periudhën e para luftës së dytë botërore dhe sa ngjason realisht me gjuhën e sotshme letrare. Më poshtë kam shkëputur një paragraf nga e folura e zonës së Korçës:

“Duallmë andej nga Manastiri edhe aty u poqmë me nja dy gra. E ato na thanë: "kemi pemë të mira. Doni cazë?" I pyetmë: "Tuajat i kini, apo të botës?" "Janë të bahçesë" na u gjegjnë. "Me sa i kini?", i pyetmë. "Sa të doni yve", na u gjegjnë ato. U bë ca si vonë e do vemë mbë shpitë.”

Ja një paragraf tjetër i shkëputur nga veprat e Sami Frashërit më 1899, i cili ishte nga zona e Frashërit, në Dangëllim fare pranë luginës së Përmetit:

Ç’janë Tyrqitë? – Një komp i egërë t’ardhmë nga shkretëtirat e Asisë së veriut me nga një hosten në dorë... Na ç’kemi me ta? Amos erthmë me ta?

Jo kurrë! Na s’jemi as Turqias të ardhurë nga shkretëtirat e Asisë. Na jemi m’i vjetri komp i Evropësë; kemi të drejtë në dhet’t’Evropësë më tepër se çdo komp.

Ja dhe një paragraf tjetër i shkëputur nga kënga e Çelo Mezanit në zonën e Çamërisë, një këngë e shekullit të XVIII, në të cilën dallohen edhe më shumë ndryshime nga gjuha letrare:

Ra dielli malës Vigël,
xbriti Çelua në Arilë,
për të shkretën vajrëkimë.
Arilot’, burra dajllarë,
për shqiptarëtë firarë,...

…Kur i ra martinë e parë,
Çelua ktheu surranë.
Kur i ra martinë e ditë,
Çelua gremisi sitë.
Kur i ra martinë e tretë,
Çelua ra me të vërtetë.

Di afije, di rrufjanë,
Hizra me Sako Budanë,
tërpëruan Vrahonanë,
Vrahonanë edhe Kazanë,
Çamërinë anë e mbanë.

Pra nga këto dy shembujt e mësipërme kuptohet qartë që gjuha moderne letrare nuk është një kopje e asnjë dialekti tosk. Megjithatë ajo e ka një farë ndikimi, si të thuash, nga dialektet toske dhe më poshtë do shpjegoj pse.

Arsyeja e parë është teknike. Ajo ka të bëjë me morfologjinë e fjalëve të trashëguara nga secili dialekt. Në shkrimin me titull "Kur dhe pse ndodhi ndarja dialektore e gjuhës shqipe?" kam arsyetuar se dikur gjuha shqipe nuk ishte e ndarë në dialekte kaq të ndryshme nga njëra tjetra siç është sot. Nga shkrimet e vjetra mund të konstatohet se dikur ka pas ekzistuar një dialekt i përbashkët, cili përmbante elementë si të gegërishtes ashtu edhe të toskërishtes. Nga një analizë e kujdesshme e këtij dialekti të përbashkët gjithë-shqiptar del në pah një gjë shumë interesante. Shumë nga dialektet e sotshme të gegërishtes, sidomos ato të veriut e Kosovës, me kalimin e kohës kanë pësuar ndryshime rrënjësore, ndoshta për shkak të futjes në përdorim të gjerë të paskajores, dhe për pasojë në përgjithësi fjalët e tyre janë "ngrënë", d.m.th janë shkurtuar shumë, fenomen ky që nuk është i pranishëm tek shkrimet e vjetra.

Nëse do t'i ktheheshim edhe një herë fjalorit të mësipërm të Pjetër Bogdanit, apo edhe Mesharit të Gjon Buzukut, do të vinim re se në dialektet toske shumë prej fjalëve të vjetra janë ruajtur të plota, siç kanë qenë dikur. Rasti më tipik është fjala "është", e cila tek Bogdani figuron si "anshtë" ndërsa tek Buzuku figuron në trajtën “tue klenë” (duke qenë), ndërsa në shumë dialekte të sotshme gege është shkurtuar deri në "a" ose "o" ose në rastin e dialektve kosovare "tuj kon". Pra, në gjuhën letrare morfologjia e fjalëve shqipe është përgjithësisht e plotë, në ngjashmëri me fjalët e shqipes së vjetër. Këtë zgjedhje nuk e bënë gjuhëtarët e periudhës së diktaturës, siç aludohet shpesh, por intelektualët shqiptarë disa dekada më përpara, ndoshta pa vetëdije, gjë që mund të vërtetohet duke analizuar gjuhën zyrtare të përdorur në kohën e Zogut.

Ky nuk është një fenomen i paprecedent. Praktika e zgjedhjes së fjalëve më të plota për gjuhën zyrtare dhe dhënies prioritet dialektit përkatës që i përdor ato nuk është një fenomen origjinal shqiptar. Përkundrazi, ai shfaqet në të gjitha vendet e Evropës. P.sh. Italia është e mbushur me gjuhë romanike, disa prej tyre të pakuptueshme nga të tjerat. Megjithatë, italishtja zyrtare nuk përmban në fondin e saj fjalët e shkurtuara të napoletançes apo siçiliançes, por ato të plota të Toskanës, gjë që ka bërë që dialekti më i afërt me italishten zyrtare të jetë ai i Toskanës. Ashtu si edhe në Shqipëri, napoletanëve e siçilianëve kjo gjë nuk u vjen për mirë. Madje deri vonë gjuhët e Italisë nuk kishin as status zyrtar si gjuhë, por quheshin dialekte.

Po ashtu edhe gjermanishtja zyrtare, e quajtur ndryshe "gjermanishte e lartë", është bazuar përgjithësisht në të folmen e Hanoverit në veri të vendit, dhe nuk merr parasysh shumë tipare të varianteve të tjera të gjuhës gjermane që flitet gjetiu. Këtë variant zyrtar të gjermanishtes e kanë adoptuar edhe dy shtete të pavarura si Zvicra e Austria  ndonëse dialektet e tyre nuk kuptohen fare nga një person që flet vetëm gjermanishten zyrtare. P.sh, gjermanishtja e Zvicrës, njësoj si shumë dialekte të gegërishtes, ka shumë fjalë të shkurtuara e të ngrëna ose forma gramatikore krejt të tjera nga gjermanishtja e veriut, e për këtë arsye njësoj si me gegërishten, edhe struktura e fjalisë në të folmen zvicerane ndryshon shumë nga ajo standarde gjermane, deri në moskuptim.

Aq më ekstrem është rasti i Francës ku, si për koincidencë, pikërisht në vitin 1972 presidenti francez Zhorzh Pompidu  me origjinë oksitane (jugu i Francës) ku nuk flitet aspak frëngjisht por gjuha oksitane, deklaroi se "në një Francë që do t’i jepte vulën Europës nuk mund të kishte vend për gjuhë regjionale", duke i dhënë kështu qartësisht përparësi politike gjuhës zyrtare franceze që është bazuar në të folmen e Parisit. Pra këtu nuk bëhet fjalë as për dialekte, por për shtypjen dhe zhdukjen e gjuhëve të mirëfillta, përfshi dhe ato jo romanike si p.sh. gjuha bretone apo ajo flamande. Sot ky fenomen në Francë ka marrë emrin “vergonha” (turpi) dhe shumë nisma politike synojnë vendosjen e këtyre gjuhëve në rang zyrtar rajonal.

Por mos të shkojmë shumë larg. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me greqishten letrare, së cilës gjuhëtarët neo-helenistë shtetërorë ia hynë me sëpatë dhe e spastruan pothuajse krejt nga ndikimet e shkurtimet dialektale, huazimet e idiomat lokale, duke shkuar deri atje sa të nxjerrin nga varri e duke futur në përdorim edhe fjalë e tipare gramatikore të greqishtes së lashtë që është folur këtu e 2000 vjet përpara. 

Natyrisht historia e greqishtes moderne letrare nuk është një shembull i mirë për t'u marrë por unë e përmenda më shumë për të treguar se ky ka qenë një trend i përgjithshëm evropian i shekujve XIX-XX dhe jo një shpikje shqiptare.

Natyrisht, të gjitha këto nuk janë arsye për t'i dhënë fund diskutimit. Gjuha nuk është diçka absolute dhe në fund janë njerëzit ata që vendosin. Sot ne kemi pjesëmarrjen aktive të shqiptarëve të ish-jugosllavisë në lëmin e kontributeve intelektuale e letrare, gjë që gradualisht po i jep një shtysë të re prurjeve të gegërishtes në standard. Unë vetë e gjej veten time shpesh duke përdorur trajta veriore e kosovare në të folmen time të përditshme për shkak të kontaktit me dialektet e veriut dhe për këtë nuk shqetësohem aspak. Ato e pasurojnë gjuhën dhe i japin ëmbëlsi asaj.

Mirëpo kjo situatë nuk ekzistonte në periudhën e diktaturës e në dekadat e mëparshme të pavarësisë. Shumica e gegëve ishin të shkëputur nga trungu amë e për këtë arsye ndikimi i tyre në të folmen e Tiranës ishte inekzistent. Kur përfundoi lufta e dytë botërore, shumica dërrmuese e gegëve jetonin në fshat dhe, jo për faj të tyre, gjerësisht të izoluar e të kapur më fort pas sistemit fisnor. Përveç Shkodrës, Gegëria e thellë nuk kishte pothuajse asnjë qendër tjetër urbane. Gjithë qendrat e tjera të rëndësishme urbane gege si Ulqini,  Peja, Gjakova, Prizreni, Dibra, Gostivari, Shkupi, etj, gjendeshin jashtë kufijve shtetërorë të Shqipërisë.

Ndryshe ishte situata në Shqipërinë e mesme e në jug ku numri i qendrave urbane ishte më i madh. Durrësi, Shijaku, Elbasani, Peqini, Lushnja, Kavaja, Berati, Vlora, Korça, Gjirokastra, të gjitha këto kishin një farë zhvillimi urban për kohën dhe krijonin kushte më të përshtatshme për lëvrimin më të gjerë të gjuhës së shkruar. Detyrimisht, shumica e intelektualëve që u mblodhën në Tiranë, edhe për shkak të luftës, dhe atyre që rrjedhimisht morën arsim të lartë jashtë shtetit, ishin nga Shqipëria e mesme e nga jugu. Këta ishin edhe më të shumtë në numër si popullsi. Kështu që ishte e pashmangshme që këta do t'i jepnin edhe tonin gjuhës së shkruar letrare të periudhës së diktaturës.

Nëse në Tiranë do të ishin mbledhur shqiptarë nga të gjitha trevat, përfshi Tivarin, Mitrovicën, Shkupin, e madje edhe Janinën, atëherë medoemos që gjuha e sotshme letrare do të ishte ndryshe. Mirëpo punët vajtën ashtu si vajtën dhe gjuha letrare mori atë formë që mori, dhe siç argumentuam më sipër, jo për shkak të planeve ogurzeza të regjimit, por për shkak të gjeopolitikës, dinamikave shoqërore dhe ngjarjeve historike.

Comments

Shkrimet më të lexuara të muajit

Pse u konvertuan shqiptarët në myslimanë?

Epoka e errët shqiptare

Lufta e pavarësisë së Greqisë - sa patriotike ishte dhe kush qëndronte pas saj?