A është gjuha shqipe 6000 vjeçare? Çfarë thotë shkenca?

A) Zanafilla e proto-indo-europianishtes. B) Proto-ilirishtja, paraardhëse e gjuhës shqipe. C) Ilirishtja ballkanike. D) Proto-shqipja. E) Reth 1500 vjet më parë shqipja fillon të marrë formën e gjuhës që njohim sot. F) Shqipja e vjetër. G) Shqipja moderne.
Shigjetat e verdha tregojnë trungun e  gjuhësor të shqipes.
Diagrama e publikuar në revistën Science

Si qëndron në të vërtetë çështja e vjetërsisë së gjuhës shqipe? A është ajo 6000 vjeçare, siç na thonkërkan gjuhëtarët e huaj që kanë botuar studimin në revistën Science? Apo është ajo 1500 vjeçare siç na thonë "komunisto-akademikët" e Akademisë së Shkencave? Kush ka të drejtë?

A kanë të drejtë sharlatanët e historisë dhe të gjuhës kur ngrenë shqetësimin se "kamunistat e shitur e antishqiptarë" të Akademisë nuk duan ta pranojnë që shqipja është e vjetër 6000 vjet, atëherë kur indo-europianët jetonin ende nëpër shpella!? Për t’u dhënë përgjigje këtyre pyetjeve duhet që më parë të analizojmë dhe kuptojmë përmbajtjen e studimit dhe konkluzionet e tij. 

Së pari duhet të kuptojmë që në diagramën e përpiluar nga shkencëtarët amerikanë nuk ilustrohet gjuha shqipe siç e njohim sot por “trungu” gjuhësor i shqipes, d.m.th i gjithë procesi zhvillimor i asaj gjuhe që ne sot e quajmë shqip (shigjeta e verdhë). Prandaj dhe bashkë me emërtimin “Albanian” nuk figurojnë asnjë nga gjuhët e tjera romanike si p.sh. italishtja, frëngjishtja, spanjishtja, rumanishtja, etj, apo gjuhët e tjera gjermanike si gjermanishtja, anglishtja, suedishtja, etj. Madje në këtë diagramë nuk figuron as latinishtja që është një nga gjuhët më të vjetra.

Përkundrazi aty figurojnë vetëm “trungjet” kryesore gjuhësore dhe degëzimet e shumta që kanë krijuar përgjatë mijëvjeçarëve. P.sh. në trungun italik përfshihen edhe latinishtja, edhe bijat e saj italishtja, rumanishtja, etj. Në trungun sllav përfshihen edhe sllavishtja e vjetër edhe bijat e saj serbishtja, bullgarishtja e rusishtja. Në trungun gjermanik përfshihen edhe gotishtja, gjermanishtja, suedishtja, anglishtja,  e kështu me radhë. I vetmi dallim është që trungjet e shqipes, greqishtes dhe armenishtes kanë të njëjtin emërtim si gjuhët me të cilat përfaqësohen për shkak se këto gjuhë kanë pak ose aspak degëzime. Vetëm greqishtja ka një degëzim, që është greqishtja moderne dhe greqishtja cakone. Dy gjuhët e tjera janë unike dhe të izoluara.

Tani që e sqaruam këtë çështje, le të zbërthejmë pak diagramën dhe elementët e saj të veçantë për të kuptuar informacionin që paraqitet në të. Në aksin horizontal janë shënuar mijëvjeçarët e historisë. Numri dhjetë shënon kohën para 10 mijë vjetësh, ndërsa numri zero shënon kohën e sotshme, vitin e realizimit të studimit. Ndërsa me ngjyra janë ilustruar trungjet kryesore gjuhësore dhe degëzimet e shumta që kanë pësuar me kalimin e mijëvjeçarëve. Aksi vertikal për këtë analizë nuk na intereson. 

Në të majtë të diagramës trungjet bashkohen me njëra tjetrën në një pikë të vetme të zbehtë nëpërmjet fijeve të shumta. Ky bashkim përfaqëson atë që quhet gjuha proto-indo-europiane (pika A), një gjuhë që mendohet se flitej nga të gjithë parardhësit e popujve indo-europianë (italikët, gjermanikët, ballkanasit, balltikët, iranikët, keltët, etj.) 10 mijë vjet përpara. Pra, shumica e popujve të Europës dhe shumë popuj të Azisë, dikur flisnin një gjuhë të vetme të përbashkët. Por me kalimin e mijëvjeçare ky popull i përbashkët u nda në grupe të veçanta dhe prej tyre lindën popuj të rinj, si ata që ekzistojnë ashtu dhe ata që nuk ekzistojnë më. Me pak fjalë, si ne shqiptarët, si grekët, si sllavët, si italikët, si gjermanikët, si persët, si hindut, si pashtutë, kemi të gjithë të njëjtën prejardhje. Të gjithë vijmë nga i njëjti popull dhe dikur flisnim të njëjtën gjuhë. Prandaj dhe ky popull emërtimin teknik shkencor e ka indo-europian, sepse shtrihet nga India deri në Europë.

Sipas diagramës së mësipërme trungu i shqipes fillon të marrë formë rreth 7-6000 vjet përpara. Në këtë periudhë grupi që filloi të shkëputej nga trungu kryesor indo-europian fliste një gjuhë që ishte krejt e ndryshme nga gjuha shqipe që flasim sot dhe shumë më e ngjashme me gjuhën që flisnin grupet e tjera indo-europiane, ndoshta një dialekt ndër të shumtit. Kjo gjuhë ka marrë emrin shkencor “proto-ilirisht” (pika B), ose ndryshe para-ilirishte P.sh. në gjuhën proto-ilirisht fjalia “unë ha vezë” do ishte pak a shumë diçka e tillë: “eg hed houviom”. Pra eghed dhe houviom kanë dhënë respektivisht  fjalët unëha dhe vezë. Asnjë shqiptar sot, apo edhe 1000 vjet përpara nuk do ishte në gjendje ta kuptonte këtë gjuhë proto-ilire edhe pse ajo është nëna e gjuhës shqipe, gjuha që paraardhësit tanë flisnin 6000 vjet përpara. 

Për kuriozitet, fjala eg > unë është trashëguar sot në greqisht në trajtën ego. Fjala hed > ha është trashëguar sot në rusisht në trajtën jeda (ushqim), dhe fjala houviom është trashëguar në latinisht si ovum dhe në shqipen e vjetër si voe, ndërsa në italishten moderne në trajtën uovo dhe në shqipen moderne në trajtën ve+zë

Pas rreth 3000 vjetësh, ose rreth vitit 1000 para erës së re, parardhësit e ilirëve shfaqen në Ballkanin perëndimor, në bregun lindor të detit Adriatik. Që nga formimi i trungut gjuhësor të shqipes 6000 vjet përpara, kur para-ilirët jetonin ende në stepat e Azisë e deri në periudhën kur ilirët shfaqen në Ballkan 3000 vjet përpara, trungu gjuhësor i shqipes kishte pësuar shumë ndryshime rrënjësore. Kjo gjuhë ilirishte nuk ishte më as indo-europianishte, as shqipe moderne, por diçka e ndërmjetme. P.sh. në këtë periudhë fjala unë nuk ishte më eg por diçka më e ngjashme me udz. Pra nga eg në udz por nuk ishte bërë ende u (unë). Emërtimin shkencor kjo gjuhë e ka “ilirisht” (pika C). Unë e kam quajtur “ilirishte ballkanike” sepse kjo është periudha kur ilirët vendosen në Ballkan. Edhe këtë variant të gjuhës shqiptarët e sotshëm nuk do arrinin ta kuptonin dot sepse fjalët e saj kishin trajta shumë të ndryshme nga ato të shqipes moderne.

Me kalimin e shekujve në Mesdhe pati zhvillime të mëdha politike e social -ekonomike. Në fillim u krijua i ashtuquajturi qytetërimi helen, i cili pati një ndikim shumë të madh në të gjithë pellgun e Mesdheut e më gjerë në Azi. Pastaj mori formë qytetërimi romak, i cili pati një ndikim edhe më të madh se ai helen, veçanërisht mbi popullsitë ilire. Romakët e pushtuan Ilirinë andej nga shekulli II para erës së re dhe sollën shumë ndryshime në rrënjësore në strukturën e popullsisë dhe marrëdhënieve social-politike. Ata sollën në iliri rendin skllavo-pronar, qendrat urbane, dijen e kultivuar, etj. Deri andej nga shekulli i VI i erës së re tashmë ilirishtja kishte pësuar transformime të mëtejshme dhe kishte huazuar aq shumë fjalë latine saqë e kishte humbur ngjashmërinë me gjuhën që flisnin dikur ilirët kur u shfaqën në fillim në Ballkan një mijë e ca vjet përpara. Kjo gjuhë e re e trungut të shqipes e ka emërtimin shkencor “proto shqip” (pika D), një gjuhë që kishte filluar të hidhte hapat e para drejt shqipes, por nuk kishte marrë ende formën e shqipes që flasim sot.

Në shekullin VI, ose rreth 1500 vjet më parë në Ballkan u dyndën sllavët. Ata pothuajse e zhdukën fare popullsinë autoktone të Ballkanit përfshi ilirët, trakët dhe helenët. Ndër të paktët që i mbijetuan valës sllave ishin edhe një ose disa grupe të vogla ilirësh, të cilët më vonë do të quheshin Arbër ose Arbën (pika E). Të gjitha të folmet e ilirishtes përveç asaj të Arbërve u zhdukën krejt. Me ardhjen e sllavëve në Ballkan dhe më vonë të valëve të tjera pushtuese gjuha e parardhësve tanë pësoi gradualisht ndryshime të reja dhe mori tipare të ngjashme gramatikore me gjuhët e tjera të Ballkanit. Ky fenomen quhet sot lidhja gjuhësore ballkanike. Kjo trajtë e re e gjuhës shqipe, shumë e ngjashme me shqipen moderne por gjithësesi, në shumë aspekte e ndryshme nga ajo, ka marrë termin shkencor “shqipe e vjetër” (pika F). Kjo është shqipja e shkrimeve të vjetra shqipe si ajo e Gjon Buzukut, Pjetër Bogdanit, Pjetër Budit, etj.

Sot ne flasim gjuhën moderne shqipe (pika G) të ndarë në dy dialekte kryesore e shumë dialekte të tjera krahinore. Ndonëse gegët dhe toskët flasin në thelb të njëjtën gjuhë, dialektet e tyre ndryshojnë shumë nga njëri tjetri për shkak të zhvillimeve të mëtejshme politike e social kulturore ndër shekuj. Unë kam një tezë timen për këtë çështje të cilën e kam parashtruar në shkrimin me titull “Kur dhe pse ndodhi ndarja dialektore e gjuhës shqipe?” Ndërsa në vitin 1972 u caktuan rregullat drejtshkrimore të gjuhës letrare shqipe, e cila, ndonëse pasardhëse e dialekteve është gjithësesi disi e ndryshme nga ato.

Kur gjuhëtarët shqiptarë thonë që gjuha shqipe është rreth 1500 vjeçare, ata nuk nënkuptojnë trungun gjuhësor të shqipes, atë që e ka origjinën 6000 vjetë përpara, por kategorizimin shkencor të gjuhës që bëra unë më sipër. Duke qenë gjuhëtarë nga profesioni ata flasin me terma teknikë shkencorë dhe nuk mund t’ia lejojnë vetes që të ngatërrojnë proto-ilirishten e para 6000 vjetëve me shqipen moderne, sepse, siç e pamë edhe nga shembulli i mësipërm, këto të dyja janë dy gjëra të ndryshme nga njëra-tjetra, ashtu siç janë të ndryshme edhe latinishtja me italishten dhe rumanishten. Asnjë gjuhëtar nuk mund t’ia lejojë vetes të thotë që italishtja apo rumanishtja janë latinisht apo anasjelltas. Është njësoj sikur të thuash që zogjtë janë dinozaurë apo njerëzit janë majmunë për shkak se e kanë prejardhjen prej tyre. Nga këndvështrimi shkencor ky pohim është krejt i gabuar.

Gjuha shqipe nuk është e vetmja gjuhë që filloi të marrë formë para 1500 vjetësh. Të gjitha gjuhët moderne të Europës e kanë zanafillën pak a shumë në këtë periudhë, pikërisht për shkak të zhvillimeve politike e social-kulturore në kontinentin europian dhe kjo nuk ka të bëjë fare me autoktonizmin e tyre.

Edhe grupin e shkencëtarëve që kanë përpiluar diagramën e mësipërme, po t’i pyesësh, do të të thonë të njëjtën gjë. Kur ata kanë vënë emërtimin “Albanian” kurrësesi nuk kanë nënkuptuar gjuhën moderne shqipe por trungun gjuhësor të shqipes, me të gjitha etapat saja zhvillimore historike.

Informacioni që përmban diagrama nuk është një zbulim i ri, ashtu siç duan ta paraqesin historianët e gjuhëtarët amatorë, sharlatanët dhe mediat. Ai është vetëm një saktësim në teori i njohurive që janë zbuluar dekada më parë. Askush nuk e ka vënë në dyshim vjetërsinë mijëra vjeçare të trungut gjuhësor të shqipes. Përkundrazi, albanologët shqiptarë e të huaj kanë ngritur vazhdimisht teza që mbështesin lashtësinë e hershme të këtij trungu. Vetë teza, tashmë e pranuar nga të gjithë, që shqipja i përket familjes së gjuhëve indo-europiane është shenja më e qartë që të gjithë gjuhëtarët bien dakord me idenë se trungu i shqipes rrjedh nga thellësitë e historisë bashkë me gjuhët e tjera të Europës.

Diagrama e gjuhëve indo-europiane, në të cilën shqipja zë një degthë më vete. Diagrama të tilla tregojnë se lashtësia mijëra vjeçare e gjuhës shqipe është pranuar tashmë prej disa dekadash.

Në botën shkencore, si jashtë vendit, ashtu dhe brenda tij, nuk ka aktualisht askurrfarë debati për vjetërsinë e gjuhës shqipe. Nuk ka asnjë mosmarrëveshje apo përplasje tezash. Nuk ka dy palë që kundërshtojnë njëra tjetrën. Madje nuk ka as çështje për të diskutuar. Të gjithë bien dakord me informacionin dhe njohurinë që ekziston deri tani për gjuhën shqipe.

I gjithë debati është ngritur dhe mbahet nga sharlatanët për sharlatanizmat e tyre sepse kaosi, rrëmuja dhe fryma e përgjithshme e një nacionalizmi primitiv i mban gjallë në mendjet e publikut të thjeshtë dhe u garanton shitje për punimet e tyre pseudo-shkencore. E vetmja armë që sharlatanët kanë në dorë për momentin është indiferenca e gjuhëtarëve për tu marrë shumë gjatë me ta. Kjo vjen sepse duke mos pasur një mekanizëm të trasnferimit të dijes shkencore në dije popullore, d.m.th. duke mos pasur një lloj "përkthyesi" të informacionit teknik-shkencor në gjuhën e përditshme, sharlatanët kanë mundësi ta mbajnë publikun në errësirë duke i servirur atij injorancën për dije.

Comments

  1. Paske ba nji katraure shkrim.po si mund te ruhet gjuha nga nje minorance dhe maxhoranca ( sllavet ) te mesojne gjuhen eminorances ( arbnoreve )

    ReplyDelete
    Replies
    1. "Katraure" = u perpoqa ta lexoj por nuk kuptova asgje, e per pasoje u nxeha.

      Delete
  2. Nje dallim qe vetem ne shqiptaret e bejme pra. Skemi degjuar greket te thone qe greqishtja eshte 1500 vjecare apo italianet per latinishten e me rradhe. Vetem ne qenkemi kaq te dashuruar me saktesine e terminologies qe perdorim? Gjuha ka nje baze, ajo ka rendesi per zanafillen e saj. Ska rendesi sa I after je ti, njeriu modern, te kuptohesh me paraardhesin tend, rendesi ka qe trungu I gjuhes eshte I njejte. Keshtu sic po merremi vesh ne sot, nuk do mund te merreshim vesh ne 1400. Nje analfabet sdo te thote se nuk di gjuhen shqipe pasi nuk di te shkruaje app lexoje. Nejse, te paktem e dime se me cilet qendron dhe ti. Keta sharlatanet e dite e moderne po dalin gjithmone e me te sakte se keta shkencetaret e kohes se Enverit

    ReplyDelete
    Replies
    1. Termat "latinisht", "romanike" dhe "italisht" nënkuptojnë pikërisht ndarjen shkencore të gjuhëve sipas periudhave kohore. Vetë latinishtja është e ndarë në këto periudha: latinishte e vjetër, latinishte klasike, latinishte vulgare, latinishte mesjetare, latinishte e rilindjes, neo-latinishte dhe latinishte moderne. Latinishtja dhe italishtja janë dy gjuhë të ndryshme. Italishtja moderne e ka zanafillën pak a shumë në të njëjtën periudhë si shqipja moderne. Të gjitha gjuhët pasardhëse të latinishtes janë sot gjuhë të ndryshme.

      E njëjta gjë është edhe për greqishten, e cila ka disa variante sipas periudhës: greqishte e lashtë, greqishte koine, greqishte bizantine, greqishte popullore (demotiki), katarevusa dhe greqishte moderne.

      Nqs nuk i ke dëgjuar asnjëherë këto terma, dmth që nuk ke marrë asnjëherë asnjë informacion shkencor.

      Delete

Shto një koment

Shkrimet më të lexuara të muajit

Pse u konvertuan shqiptarët në myslimanë?

Epoka e errët shqiptare

Lufta e pavarësisë së Greqisë - sa patriotike ishte dhe kush qëndronte pas saj?