E vërteta e 28 000 "dëshmorëve" të luftës

Dy faqet e para të listës së dëshmorëve të Brigadës I Sulmuese, që gjendet në fund të historikut të kësaj brigade. Janë 14 faqe të tilla. 1100 djem e vajza nën moshën 23 vjeç, që nuk u plakën asnjëherë. Çdo brigadë ka një listë të tillë. Këto janë vetëm listat e periudhës së brigadave, pa llogaritur ato të batalioneve, çetave e njësiteve guerile.

Diskutim të gjerë e me shumë kundërshti ka ngrënë tema e dëshmorëve të atdheut gjatë luftës së dytë botërore. Shifra e famshme 28 000 dëshmorë është interpretuar nga gjithë anti LANÇ-istët si një tentativë e regjimit të Hoxhës për të fryrë në mënyrë të gënjeshtërt numrin e luftëtarëve të rënë të UNÇSH e për rrjedhojë edhe madhësinë e rëndësinë e Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare.

Me këtë çështje, ashtu si edhe me shumë të tjera, ata janë përpjekur të manipulojnë debatin mbi luftën nacional çlirimtare, pasi deklarojnë se këta 28 000 dëshmorë nuk mund të gjenden sepse nuk ekzistojnë askund nëpër arkiva. E duke hedhur dyshime mbi numrin e dëshmorëve, vihet natyrisht në pikëpyetje çdo aspekt tjetër i LANÇ i dokumentuar e i propaganduar nga regjimi. 

Ashtu si edhe çështja e datës së çlirimit, marrëveshjes së Mukjes, bashkëpunimit me nazistët, pranisë së këshilltarëve jugosllavë, dhe shumë të tjera që janë ngritur e pastaj kanë rënë, edhe kjo çështje është një gur më shumë në ngritjen e teorive konspirative që kanë si qëllim të zhvlerësojnë Luftën Antifashiste Nacional Çlirimtare dhe gjithë pjesëmarrësit në radhët e saj.

Në të vërtetë shifra 28 000 nuk ka fare lidhje me numrin e partizanëve të rënë gjatë luftës. As nuk ka pretenduar kush ndonjëherë se ka pasur 28 000 partizanë të rënë luftë. Nuk ka asnjë libër për luftën, asnjë dokumentacion ushtarak, asnjë pretendim të ndonjë individi se kanë ekzistuar ndonjëherë këta 28 000 partizanët e vrarë. Madje as Enver Hoxha nuk e ka deklaruar ndonjëherë një gjë të tillë.

Shifra 28 000 është përdorur për herë të parë nga Hoxha në Konferencën e Paqes në Paris në 1947, ku diskutohej roli dhe përgjegjësitë e secilit shtet në ngjarjet e luftës. Në atë konferencë Perandoria Britanike në bashkëpunim me Greqinë kishte ngritur pretendimin se Shqipëria kishte qenë bashkëpunëtore e Aksit dhe si e tillë kishte sulmuar Greqinë dhe se për këtë arsye duheshin rishikuar kufijtë e 1913ës në favor të Greqisë.

Ndër të tjera në Konferencë Hoxha deklaroi se populli shqiptar kishte sakrifikuar 28 000 viktima, dëshmorë të pushtimit nazifashist dhe se "...Ndonëse të vegjël dhe të varfër si popull, por të mëdhenj një sakrifica, shqiptarët kanë ardhur këtu jo për të diskutuar kufijtë por për të shprehur dhe për të kërkuar të drejtat e tyre..." Pra kjo shifër nënkupton numrin e të gjithë viktimave të luftës, kryesisht atyre civile, dhe jo ngushtësisht vetëm atyre luftarake. Ja paragrafi i plotë i shkëputur nga fjalimi i Hoxhës ku ndër ndër të tjera përmendet shifra 28 000: 

"Sakrificat e popullit tonë kanë qenë të mëdha. Nga një popullsi prej vetëm një milionë banorësh janë vrarë 28 000, janë plagosur 12 600, kanë marrë dënime politike dhe janë internuar në Itali e Gjermani 10 000, janë dënuar me punë të detyruar 35 000; nga 2500 fshatra e qytete që ka Shqipëria, 850 u rrafshuan ose u shkatërruan krejt; të gjitha linjat e komunikimit, portet, minierat dhe centralet elektrike u shkatërruan, blegtoria dhe bujqësia jonë u bastisën, dhe e gjithë ekonomia e vendit tonë u shkatërrua.

Nga ana tjetër, armiku pësoi këto humbje: 53 639 italianë e gjermanë u vranë, u plagosën ose u kapën rob, rreth 100 tanke e autoblinda u nxorën jashtë luftimit, 1334 gryka artilerie dhe mortaja, 1934 kamionë dhe 2855 mitraloza u kapën ose u shkatërruan, për të mos folur për pushkët, municionet dhe furnizime të tjera që u shkatërruan ose u kapën."

A është kjo shifër e vërtetë? Kush e di? Ndoshta. S'ka rëndësi fare. Ajo u përmend në një konferencë politike ku ndershmëria dhe sinqeriteti nuk ishin fare pjesë e rregullave të lojës, sidomos nga fuqitë e mëdha, që bënin me shtetet e vogla si u donte qejfi. E për këtë arsye çdo deklaratë në favor të Shqipërisë ishte e justifikuar. Kjo shifër pastaj u përdor nga autorë të ndryshëm dhe u kthye në legjendë nga propaganda e regjimit, por gjithmonë në kuadrin e sakrificës njerëzore të popullit shqiptar. Ajo mbeti deri në fund një deklaratë politike, për çështje politike.

Por kjo shifër nuk mund të ngatërrohet kurrë me të dhënat e sakta e të padiskutueshme të partizanëve të rënë në fushëbetejë, emrat e të cilëve figurojnë të gjithë në lista të përpiluara me rigorozitetin më të madh nga bashkëluftëtarët e tyre. Në këto lista janë shënuar jo vetëm emrat, por edhe vendi i lindjes, vendi ku ka rënë, data kur është vrarë, përgjegjësia dhe njësia ku ka luftuar. Të gjithë këta emra, ose shumica e tyre, kanë varrin e tyre në varrezat e dëshmorëve në qytete e fshatra. Kështu që janë lehtësisht të verifikueshëm.

Pra numri i dëshmorëve të luftës dihet mirë. Ai nuk është 28 000, sepse diçka e tillë nuk është pretenduar kurrë, por është jashtëzakonisht i madh për një popull aq të vogël si ai shqiptar në vitet 1940. Janë rreth 6000 djem e vajza të rënë në luftë nga një popull prej jo më shumë se 1 milion njerëzish. Është prova e sakrificës sublime që një brez i tërë bëri për lirinë dhe pavarësinë e atdheut, pavarësisht zhvillimeve politike, dhe në këtë sakrificë nuk ka asgjë të gënjeshtërt.

Për temën e LANÇ mund të lexoni edhe shkrimin me titull "LANÇ - zbërthimi i koncepteve të gabuara"

Comments

Shkrimet më të lexuara të muajit

Pse u konvertuan shqiptarët në myslimanë?

Epoka e errët shqiptare

Lufta e pavarësisë së Greqisë - sa patriotike ishte dhe kush qëndronte pas saj?