Kush e nisi debatin politik mbi origjinën e shqiptarëve?

A janë shqiptarët pasardhësit e Ilirëve? Po të pellazgëve? A janë shqiptarët banorët më të vjetër të Ballkanit? Po popullsitë fqinje? Kush e nisi këtë debat dhe për ç’arsye? Pse kaq shumë njerëz merren me këtë çështje? Për çfarë na shërben ne shqiptarëve ky debat?
Debati mbi origjinën dhe vjetërsinë e shqiptarëve e ka zanafillën në fillim shekullin e 19-të, në periudhën që në Ballkan filluan të formoheshin shtetet etno-nacionaliste ortodokse si Rumania, Serbia, Greqia e Bullgaria. Etno-nacionalizmi është një formë nacionalizmi që ka si bosht qendror identitetin etnik (gjuhën, besimin, trashëgiminë kulturore, etj.) të shumicës së popullsisë së shtetit. Sipas etno-nacionalizmit, identiteti etnik i shumicës është ai që përcakton kombin dhe kombësinë e një shteti dhe se ekzistenca e shtetit ka si qëllim të vetëm afirmimin dhe mbrojtjen e interesave të grupit dhe identitetin etnik që përbën kombin, pra të shumicës së popullsisë. Sot shtetet Ballkanike, përfshi dhe Shqipërinë, janë shtete etno-nacionaliste.
Para shekullit të XIX-të koncepti i etno-nacionalizmit në Ballkan nuk ekzistonte fare. Deri në atë periudhë Ballkanasit kishin jetuar nën sistemin osman të mileteve, sipas të cilit popullsitë e perandorisë ishin të ndara sipas fesë dhe njiheshin nga porta e lartë vetëm si komunitete fetare. Nuk kishte as debate se kush ishte populli më i vjetër, as se kush kishte ardhur i pari në Ballkan, as se kush ishte më i zhvilluar e më i qytetëruar dhe as kush kishte të shkuarën më të lavdishme. Gjithsecili jetonte në komunitetin e vet, me doket e zakonet e veta, në harmoni me fqinjët dhe fenë e tyre, dhe në paqe me botën (përveçse kur kishte luftë).
Me futjen e Rusisë cariste në skenën Ballkanike dhe planet e saja për ringjalljen e ortodoksizmit imperialist, në shoqërinë osmane të Ballkanit hyri edhe etno-nacionalizmi. Gjatë përplasjeve të saj me perandorinë osmane Rusia e përdori etno-nacionalizmin si vegël për të futur konflikte e përçarje mes shumicës ortodokse dhe pushtetit osman, duke krijuar një ndarje të qartë ideologjike, ku në njërën anë të konfliktit ishte pozicionuar identiteti etnik e fetar i shumicës ortodokse dhe nga ana tjetër ishte pozicionuar autoriteti perandorak osman dhe përfaqësuesit e tij myslimanë. Kështu në fillim Rusia do të mbështeste etno-nacionalizmin rumun në Moldavi e Vllahi, pastaj atë grek në More, Kretë e Qipro, pastaj atë serb në sanxhakun e Smederevos (Beograd) e në fund atë bullgar në malet e Rodopit.
Fuqitë e tjera evropiane patën gjithashtu ndikimin e tyre në ngjizjen e frymës etno-nacionaliste në Ballkan. Kështu Austro-Hungaria u bë gjithashtu mbështetëse e etno-nacionalizmit serb për një farë periudhe, Anglia dhe Franca u bënë mbështetëse të etno-nacionalizmit Grek, e kështu me radhë. Të gjitha ato bashkë, si në mënyrë të drejtpërdrejtë, ashtu edhe indirekte, patën një ndikim të madh në krijimin e të gjitha shteteve etno-nacionaliste ortodokse Ballkanike. Më vonë, Austro-Hungaria do të bëhej mbështetëse edhe e etno-nacionalizmit shqiptar.
Duhet thënë se, për shkak të abuzimit ekstrem me pushtetin, keq administrimit, korrupsionit dhe shpesh herë sjelljes kriminale, pashallarët osmanë (të cilët ishin kryesisht me origjinë vendase) kishin ndikuar shumë me sjelljet e tyre në rritjen e urrejtjes së popullit ndaj autoritetit perandorak osman duke krijuar kushtet ideale për lulëzimin e etno-nacionalizmit.
Kështu, narrativa nacionaliste zyrtare e shteteve të reja do të propagandonte me të madhe idenë sikur pushteti në perandorinë osmane na paskish qenë vetëm në duart e "turqve*" islamikë, se "turqit" na i paskëshin mbajtur nën sundimin e tyre gjakatar për qindra vjet me radhë, se i paskëshin shtypur e vrarë, se u paskëshin rrëmbyer fëmijët, se u paskëshin vjedhur pasurinë, se u paskëshin ndaluar zhvillimin si gjithë Evropa, e shumë e shumë bëma të tjera, njëra më e tmerrshme se tjetra, pavarësisht faktit që turq e turkomanë në Ballkan kishte shumë pak ose aspak.
*Në Ballkan nuk kishte pothuajse fare sundimtarë të etnisë turkomane.
Për me tepër, po kjo narrativë do të propagandonte konceptin e “rilindjes kombëtare” (d.m.th të grupit etnik të shumicës) duke shfrytëzuar si pikë orientimi mbretëri e perandori mesjetare ortodokse, të cilat, sipas kësaj narrative ishin paraardhëset e drejtpërdrejta të shtetit etno-nacionalist. D.m.th. sikur ishte po e njëjta ndërgjegje dhe identitet etnik i para 3-400 vjetëve që e zuri gjumi me ardhjen e osmanëve e tani duhet të rilindte. Sipas kësaj logjike, formimi i perandorisë osmane nuk konsiderohej si pjesë e proceseve dhe dinamikave normale të historisë së Mesdheut lindor, siç ishte formimi i perandorive të tjera të mëparshme, por konsiderohej si një fenomen anormal parazitar, i cili na paskësh ndërprerë zhvillimin "normal" të popujve të Ballkanit dhe na i paskësh mbajtur ata në një lloj gjendjeje letargjie.
Kështu, serbo-osmanëve iu atribuua në mënyrë ekskluzive çdo gjë që kishte të bënte me perandorinë e car Stefan Dushanit, greko-osmanëve (rumëve) iu atribuua në mënyrë ekskluzive çdo gjë që kishte të bënte me perandorinë bizantine dhe qytetërimin e lashtë helen, dhe bullgaro-osmanëve iu atribuua në mënyrë ekskluzive çdo gjë që kishte të bënte me dy perandoritë bullgare, pavarësisht faktit se asnjëra nga këto perandori nuk kishte pasur ndonjëherë karakter etnik dhe se asnjëra prej tyre nuk kishte qenë mono etnike.
Për shembull, perandoritë bullgare nuk i kishin krijuar sllavët por bullgarët dhe peçenegët (të dyja grupe turkomane), si të parën, ashtu edhe të dytën. Po ashtu, perandoria e Stefan Dushanit ishte edhe perandoria e shqiptarëve, grekëve, bullgarëve e vllahëve, dhe Dushani nuk mori pothuajse asnjë kështjellë me luftë. Aq më pak etnike mund të konsideroheshin perandoria bizantine apo degëzimet e saj, Despotati i Epirit dhe Perandoria e Nikeas, të cilat ishin pasardhëse e drejtpërdrejta të perandorisë romake e që dalloheshin për karakterin e thellë multi etnik të tyre.
Lexo shkrimin me titull “Pse nuk e ndërtuan shqiptarët shtetin e tyre mesjetar?”
Por këto fakte nuk kishin aspak rëndësi për elitat politike etno-nacionaliste të asaj periudhe, sidomos ato serbe e greke. Me "rilindjen" e "ndërgjegjes kombëtare", popujt e krishterët të Ballkanit do të zgjoheshin dhe do ta flaknin tutje "parazitin" osman, bashkë me të gjithë ata që do të konsideroheshin si "shërbëtorët" e tyre, myslimanët e të gjitha etnive. Ato do t’i mëshonin fort lidhjes kulturore e shpirtërore mes grupit etnik të cilit i përkisnin dhe perandorisë përkatëse mesjetare, jo vetëm që të legjitimonin në sytë e popullit ekzistencën e shtetit të ri “trashëgimtar” etno-nacionalist ortodoks, por edhe për një qëllim tjetër akoma edhe më ogurzi - justifikimin e ekspansionit drejt territoreve të banuara nga shqiptarët myslimanë.
Kështu, në vitin 1877, në kuadër të luftës ruso-turke, filloi ofensiva serbe kundër perandorisë osmane në sanxhakun e Nishit, e cila përfundoi në vitin 1878 me dëbimin e shqiptarëve dhe banorëve të tjerë myslimanë nga trojet e veta shekullore. Autoritetet serbe e konsideronin shumicën myslimane shqiptare veçanërisht të rrezikshme për stabilitetin e shtetit serb dhe për këtë vendosën që t’i zëvendësonin ata me popullsi të krishtera ortodokse, të ardhura kryesisht nga Mali i Zi. Për të justifikuar fushatën kriminale të spastrimit të dhunshëm tek publiku serb dhe tek opinioni ndërkombëtar, ata propaganduan me të madhe idenë se shqiptarët ishin të paqytetëruar, të prapambetur, dhe popull kriminelësh në shërbim të sundimit turko-osman, e për këtë arsye ata nuk meritonin asnjë keqardhje. Kjo taktikë pati shumë sukses. Traktati i Berlinit, i firmosur nga fuqitë e mëdha, ia njohu menjëherë Serbisë të drejtën për t’i mbajtur territoret e reja të spastruara pa shprehur ndonjë shqetësim të veçantë për fatet e shqiptarëve dhe myslimanëve të etnive të tjera, të cilët u shpërndanë sa në Kosovë, sa në Maqedoni e sa në vende të tjera.
Por serbët nuk u mjaftuan me kaq. Duke qenë se ofensiva serbe në Nish dhe ofensiva greke në Thesali rezultuan të suksesshme, këto dy shtete filluan të thurnin plane për ofensiva të mëtejshme kundër perandorisë osmane, me qëllim zhvatjen e të gjitha territoreve të saja në Ballkan. Por edhe në këtë rast paraqitej një pengesë serioze - shqiptarët. Sa më shumë i afroheshin territoreve shqiptare aq më e ashpër bëhej rezistenca dhe aq më e vështirë bëhej arritja e rezultateve në fushëbetejë. Këtë e vërtetojnë edhe dokumentet historike të këtyre shteteve, të cilat rezistencën shqiptare e cilësojnë si sfidën kryesore që mund të sabotojë planet e tyre. Ofensivat ndaj territoreve fushore si Nishi e Thesalia, ku prania e shqiptarëve ishte relativisht e vogël, ishin shumë më të thjeshta se sa ofensivat në territoret malore ku shqiptarët ishin shumicë dërrmuese. Për më tepër, ndërkohë që popullsia e zonave fushore ishte përgjithësisht paqësore dhe e paarmatosur, popullsia shqiptare, për shkak të sistemit shoqëror fisnor, ishte rritur, si të thuash, "me pushkën në djep" dhe luftën e kishte pjesë të kulturës së vet.
Lexo shkrimin me titull "Shqipëria, si pellgu me llucë".
Prandaj, në mënyrë që t’i përçanin shqiptarët dhe forcën e tyre të rezistencës, që të mos bashkoheshin rreth një identiteti të vetëm etnik, elitat politike neo-serbiste e neo-heleniste filluan të përpunonin teoritë e rreme mbi autoktoninë e shqiptarëve në Ballkan dhe origjinën e tyre. Ato filluan të sulmojnë identitetin etnik shqiptar duke i quajtur shqiptarët si të huaj, pa histori e të sjellë nga turqit për të mbajtur të nënshtruara popullsitë e krishtera “autoktone” greke e serbe. Ato ndërtuan një propagandë të jashtëzakonshme kundër çdo aspekti të kulturës shqiptare, që nga gjuha e deri tek plaçkat e trupit. Madje për këtë ata filluan të aktivizojnë edhe historianët e profesorët e akademive përkatëse, të cilët gjatë dy shekujve botuan “studime” e “kërkime” të panumërta, me qëllimin e vetëm për të vërtetuar se shqiptarët ishin të ardhur, nuk kishin lidhje me ilirët dhe se për këtë arsye nuk meritonin ose nuk duhet të kishin të drejtën e vetëqeverisjes dhe të formimit të një shteti shqiptar në trevat e tyre. Sidomos për këtë të fundit ata përdorën masivisht argumentet "ad hominem", ku nga njëra anë i mëveshnin, pa të drejtë, identitetit të tyre etnik, bëmat e perandorive e mbretërive të dikurshme mesjetare, dhe nga ana tjetër “argumentonin” “paaftësinë” e supozuar të shqiptarëve për të ndërtuar shtet, për shkak të sistemit të tyre shoqëror fisnor. Madje, një historian serb vajti deri atje sa deklaroi që shqiptarët, deri andej nga shekulli i 16-të, na paskëshin pasur bisht.
Lexo shkrimin me titull "A kanë qenë shqiptarët historikisht të përçarë?"
Në fakt fuqive evropiane kaq u duhej që t’i shpërfillnin totalisht shqiptarët myslimanë dhe identitetin e tyre etnik, sikur të ishin një trup i huaj, një tumor në trupin e Ballkanit. Këtë qasje e shprehu shumë qartë Bismarku, kryeministri i Gjermanisë, kur e përkufizoi Shqipërinë në konferencën e ambasadorëve në Berlin më 1884 si “thjesht një shprehje gjeografike” dhe asgjë më shumë. Për sa kohë fuqitë evropiane do t’i shihnin shqiptarët me këtë sy, fqinjët tanë etno-imperialistë do t’i përdornin këto argumente pseudo-shkencore për t’i sulmuar ata në çdo mënyrë e në çdo kohë, pa pushim, derisa mundësisht t’i zhduknin fare. Ky ishte fati i zi i shqiptarëve që kishin rënë në dorë të “jabanxhinjve”, këtyre shteteve grabitqare që ishin formuar prej popujsh barbarë e të ardhur rishtas në Evropë, që tani po vinin në dyshim autoktoninë e shqiptarëve, që kishin jetuar në këto troje për të paktën 5000 vjet, dhe po e cilësonin Shqipërinë si "thjeshtë një shprehje gjeografike".
Lexo shkrimin me titull "Skënderbeu, pasaporta europiane e shqiptarëve".
Pra ishin manovrat dhe politikat imperialiste anti-shqiptare të Serbisë dhe Greqisë, të mbështetura nga fuqitë imperialiste evropiane, sidomos Rusisë cariste, ato që i dhanë shkas debatit politik mbi origjinën e shqiptarëve. Po të mos ishte për planet ekspansioniste të këtyre shteteve në drejtim të territoreve shqiptare, ky debat as që do të ekzistonte fare. Askush nuk do t’i vinte shqiptarët para gjyqit për origjinën e tyre, fenë, të drejtën e tyre për të jetuar në trojet e veta apo për aftësinë për të ndërtuar shtet.
Lind pyetja, po tek vetë populli shqiptar, a pati sukses narrativa antishqiptare e fqinjëve? Përgjithësisht jo. Fakti që shqiptarët arritën të ruajnë identitetin etnik dhe të krijojnë shtetin e tyre shqiptar është prova më e qartë që ajo narrativë nuk pati sukses. Megjithatë ndikimi që pati tek mentaliteti shqiptar ishte i madhi dhe tejet destruktiv. Shumë shqiptarë ortodoksë që u gjendën jashtë kufijve të Shqipërisë u asimiluan dhe e harruan krejt origjinën e tyre. Shumë të tjerë të fesë myslimane u larguan nga trojet e tyre drejt vendeve si Turqia, ku dhe u asimiluan atje. Disa filluan të kenë dyshime për identitetin e tyre, e disa të tjerë adoptuan kulturën e vetëpërçmimit. Ndonjë, në të rrallë, u përçudnua krejt dhe e bleu kallëp propagandën antishqiptare deri në antishqiptarizëm të mirëfilltë.
Fatkeqësisht, pasojat e narrativës antishqiptare i ndjejmë edhe sot, jo vetëm tek mentaliteti i vetë shqiptarëve, por të artikuluara në media nga intelektualët tanë, të cilët jo rrallë herë i dëgjojmë të bëhen zëdhënës të kulturës së vetëpërçmimit. "Shqiptarët s'bëjnë dot shtet. Shqiptarët nuk qytetërohen. Shqiptarët kështu, shqiptarët ashtu".
Lexo shkrimin me titull "A mund "të bëhen" shqiptarët?"
Nga ana tjetër,
zelli i madh me të cilin diskutohet e trajtohet kjo temë në Shqipëri e Kosovë
nuk është gjë tjetër veçse një shprehje e qartë e traumës që ka pësuar
ndërgjegjja intelektuale shqiptare gjatë këtyre 130 vjetëve. Shqiptarëve u ka
ardhur në maj të hundës nga sulmet e vazhdueshme kundër identitetit dhe
kulturës së tyre, etiketimet si të padëshiruar, të prapambetur e të
paqytetëruar dhe identifikimet me lloj-lloj teorish antishkencore. Në këto
kushte çështja e vërtetimit të autoktonisë është kthyer, me të drejtë, në një
obsesion patologjik, sa që disa historianë e studiues madje janë hedhur në
kundërsulm, duke gërmuar rrënjët shqiptare thellë në humnerat e historisë para
ilire e para helene, nëpër skutat e errëta të pellazgjisë, atje ku nuk ka as
gjurmë e as dokumente, me shpresën për të gjetur të vërtetat e fshehura të
shqiptarëve në këto troje, a thua se me tu zbuluar ato, më në fund do të na
lënë rehat, do të na respektojnë dhe të gjitha padrejtësitë do të vendosen në
vend.
Por sa rëndësi ka ky debat për shqiptarët sot? A fitojmë gjë realisht nëse zbulojmë origjinën tonë iliro-pellazge? Përveçse për t’ia përplasur ndonjë neo-helenisti a ndonjë neo-serbisti të vërtetën në fytyrë, politikisht ky debat nuk ka asnjë rëndësi. Fatmirësisht koha e etno-nacionalizmit imperialist ka shkuar dhe politikat ekspansioniste nuk gjejnë më sponsorë ndër fuqitë perëndimore. Sot shqiptarët nuk gjykohen më në bazë të origjinës apo autoktonisë së tyre në Ballkan por në bazë të zhvillimit ekonomik, politik e shoqëror. Argumentet historikë nuk cenojnë më të drejtën e shqiptarëve për të jetuar të lirë në trojet tyre dhe të vetmit që vazhdojnë të mbështesin argumentet anti-shqiptare janë qarqet nostalgjike ultra nacionaliste të fqinjëve tanë, si dhe ndonjë pjesëtar tru shpëlarë i minoriteteve në Shqipëri, të cilët duket se janë kapur fort pas fantazmave të së shkuarës së “lavdishme” dhe nuk duan ta pranojnë se shkenca ka përparuar dhe ideologjitë e vjetra janë hedhur poshtë.
Debati mbi origjinën dhe autoktoninë e shqiptarëve mbetet sot kryekëput një debat i mirëfilltë shkencor. Zbulimet dhe konkluzionet janë të rëndësishme vetëm për shkencën dhe me to duhet të merren vetëm studiuesit e mirëfilltë. Për gjithë të tjerët është shumë-shumë një kuriozitet për të zgjeruar horizontin kulturor. Çdo diskutim tjetër me baza jo shkencore e i pabazuar në gjakftohtësinë e fakteve vetëm sa krijon më shumë zhurmë e konfuzion të panevojshëm. Edhe sikur shqiptarët të mos ishin autoktonë në këto troje, edhe sikur ata të kishin ardhur nga Kaukazi apo nga ndonjë vend tjetër më i largët, kjo nuk do të ndryshonte asgjë. Nuk ka asnjë dokument apo marrëveshje ndërkombëtare që i diskriminon popujt në bazë të origjinës dhe vjetërsisë në trevat ku ata jetojnë. Nuk ka asnjë ideologji që u ndalon shqiptarëve të jetojnë të lirë e të pavarur në tokat e tyre. Dhe nuk ka asnjë argument historik që t’i dënojë shqiptarët për faktin që para 200 vjetëve zgjodhën të konvertohen në islam. Çështja e Kosovës u zgjidh. Çështja e shqiptarëve të Maqedonisë e Malit të Zi janë gjithashtu në proces. Edhe në rastin e Çamërisë, problemi që shtrohet për zgjidhje është teknik dhe jo ideologjik, paçka se elitat politike greke vazhdojnë t’i bëjnë bisht zgjidhjes së saj.
A janë shqiptarët pasardhësit e ilirëve? Shkencëtarët e mirëfilltë kanë folur mjaft për këtë temë dhe pothuajse të gjithë kanë dalë në konkluzionin se pavarësisht faktit që materiali dokumentar historik e gjuhësor është i pamjaftueshëm për të dhënë një vendim të pastër të padiskutueshëm, dëshmitë rrethanore flasin qartë për origjinën e lashtë ballkanike të shqiptarëve në këto troje. Veçanërisht gjuha, trashëgimia gjuhësore ilire dhe huazimet e lashta helene e latine, janë indikatori më i qartë që tregon se shqiptarët kanë qenë në Ballkan të paktën që nga shekulli i I-rë, dhe të shumtën që në zanafillat e popullsive indo-evropiane.
Me interes të veçantë është një studim i publikuar nga Peter Ralph dhe Graham Coop në vitin 2013 me titull “Gjeografia e vonë e trashëgimisë gjenetike në Evropë”. Studiuesit zbuluan se krejt ndryshe nga të gjithë popullsitë e Evropës së sotshme, të cilat kanë mjaft trashëgimi gjenetike të përbashkët me popujt fqinj (d.m.th. kanë një numër të lartë paraardhësish të përbashkët), trashëgimia gjenetike e shqiptarëve e ka origjinën në mënyrë të theksuar brenda të njëjtit grup etnik. Askush tjetër, madje as grekët dhe as italianët nuk ndajnë të njëjtën trashëgimi gjenetike brenda popullsisë së tyre në atë nivel si shqiptarët. Në këtë aspekt shqiptarët janë unikë në të gjithë Evropën.
Çfarë është më interesante është fakti se kjo trashëgimi gjenetike i përket një periudhe nga 500 deri në 1500 vjet të shkuara, gjë që përputhet plotësisht me periudhën pak para dyndjeve sllave dhe pak para dyndjeve osmane. Më tutje studimi arsyeton se ky tipar i jashtëzakonshëm i trashëgimisë gjenetike të shqiptarëve tregon se të gjithë shqiptarët që jetojnë sot në botë e kanë prejardhjen nga një grup i vogël fillestar arbëror (ose Ilir) diku nga shekulli i 6-7 dhe se nuk ka patur asnjëherë shkallë të lartë përzierjesh gjenetike mes shqiptarëve dhe popullsive të tjera fqinje. D.m.th, në 1500 vitet e fundit, ndryshe nga të gjithë popujt e Evropës, përfshi italianët dhe grekët, shqiptarët e sotshëm e kanë prejardhjen pothuajse ekskluzivisht vetëm nga arbrit/ilirët. Dhe për të vërtetuar më tej autoktoninë, në studim evidentohen edhe dy fakte të tjera interesante. E para që grekët dhe sllavo-maqedonasit, numrin më të madh të paraardhësve gjenetikë të përbashkët e kanë me shqiptarët, gjë që vërteton praninë e popullsive të asimiluara shqiptare në këto shtete. E dyta, veçanërisht interesante, që Italianët kanë me njëri-tjetrin po aq paraardhës gjenetikë të përbashkët sa edhe me shqiptarët. Nuk është fort e qartë se si mund të ketë ndodhur kjo, por mund të teorizojmë se duhet të ketë pasur një numër të madh të popullsive iliro/arbërore që mund të kenë emigruar drejtë Italisë, ndoshta që në kohërat më të lashta kur perandoria romake e kishte ende qendrën në Romë, ose ndoshta gjatë periudhës së dyndjeve avaro-sllave në Ballkan, në shekujt 6-7-të. Por mund të ketë ndodhur edhe e kundërta edhe pse kjo ka shumë pak gjasa. Por fakt është se konkluzionet e këtij studimi janë shumë të rëndësishme pasi hedhin poshtë në mënyrë absolute çdo dyshim mbi vjetërsinë dhe autoktoninë e shqiptarëve në këtë pjesë të Ballkanit.
Lexo shkrimin me titull "A ka gjak të huaj në venat e shqiptarëve?"
Por tek e fundit, asgjë nga këto nuk ka ndonjë rëndësi për të ardhmen politike të shqiptarëve. Si të jemi më të vjetrit, si të mos jemi më të vjetrit, nga këto troje nuk na zhduk dot kurrkush, as me argumente pseudo shkencore, as me luftë. Fatmirësisht kohët kanë ndryshuar dhe rëndësia politike e këtij debati ka marrë fund. Atë e nisën fqinjët tanë për qëllimet e tyre ekspansioniste, në një kohë kur kishin mbështetjen e politikës dhe pseudo shkencës evropiane. Shumë perandori e qytetërime kanë ardhur e kanë shkuar, por shqiptarët nuk kanë lëvizur nga vendi. Ata kanë qenë këtu para se të ekzistonin ideologjitë nacional-imperialiste dhe do të vazhdojnë të jenë këtu edhe shumë kohë pas zhdukjes së tyre. Edhe një mijë qytetërime e fuqi globale të tjera do të vijnë e do të shkojnë dhe shqiptarët do të vazhdojnë të jenë këtu, brez pas brezi, duke jetuar atë jetën e tyre të thjeshtë, me ato shqetësimet dhe hallet e përditshme, pa e vënë shumë ujët në zjarr se çfarë mendimi ka njëri apo tjetri për ta, kulturën dhe vjetërsinë e tyre në Ballkan.
Ky përshkrim eshte shum e sakt , super
ReplyDeleteSume e drejte dhe me baze shkencore 🙏🌟🇦🇱
ReplyDelete""Por sa rëndësi ka ky debat për shqiptarët sot? A fitojmë gjë realisht nëse zbulojmë origjinën tonë iliro-pellazge? Përveçse për t’ia përplasur ndonjë neo-helenisti a ndonjë neo-serbisti të vërtetën në fytyrë, politikisht ky debat nuk ka asnjë rëndësi."..
ReplyDeleteMendoj se çdokush që di se me çfarë fryme dhe pseudo historie rriten brezat e rinj të fqinjëve tanë grek dhe sllav duhet me doemos të kuptojë se kjo çështje edhe pse politikisht duket e tejkaluar, praktikisht ka rëndësi vendimtare për edukimin e fëmijëve tanë. Duhet një ndërgjegjësim më i madh mbi si kemi ardhur deri këtu duke shpjeguar qartë pozicionet e gjithë aktorëve që kanë ndikuar.
Patriot, patjeter edukoje femine ,por pa urrejtje ! Nacionalizmi per atdhe dhe fanatismi ne fe nuk sjellin azgje te mire.autori shkruan :se kur nuk ekzistonin kufijte njerzit jetonin te qete ne paqe!
Delete