Bjeri samarit, të dëgjojë gomari


Greqia dhe minoriteti grek në Shqipëri

Ka shumë që mendojnë se meqë Greqia nuk njeh minoritetin shqiptar, atëherë edhe ne të duhet bëjmë të njëjtën gjë me minoritetin grek, dmth mos ta njohim atë dhe t'ia kufizojmë të drejtat. Shumë sharlatanë pellazgologë e kanë mbështetur e promovuar publikisht këtë mendim. Më poshtë do të argumentoj pse ky mendim është krejt i gabuar, i bazuar në  arsyetime të cekëta e në padije.

Së pari, shteti shqiptar është ndërtuar mbi parime të ndryshme nga shteti grek. Ndërkohë që shteti grek është krijuar mbi bazat e neo-helenizmit*, një identitet ideologjik agresiv shovinist, shteti shqiptar është themeluar mbi bazë të konceptit të bashkëjetesës, gjithëpërfshirjes dhe mirëkuptimit etnik e fetar. Ndërkohë që shteti grek u krijua dhe u zhvillua nga fuqitë europiane të krishtera si projekt ideologjik e politik, shteti shqiptar u krijua si nevojë e një populli për t'u bashkuar e për të jetuar i lirë e i pavarur në një entitet të vetëm kombëtar.  Ndërkohë që shteti grek do të shërbente si oborri neobizantin i Patrikanës së Kostandinopojës pas rënies së perandorisë osmane, shteti shqiptar u krijua mbi baza laike dhe nuk iu nënshtrua asnjë institucioni dhe e asnjë ideologjie fetare.

Lexo shkrimin me titull "Neo-helenizmi dhe shqiptaria".

Gjatë ekzistencës së vet 200-vjeçare, shteti grek nuk ka treguar asnjë përkujdesje të veçantë ndaj popullsisë greke, si brenda ashtu dhe jashtë Greqisë. Përkundrazi, grekët kanë qenë të parët që kanë vuajtur politikat armiqësore e luftarake të Athinës kundër fqinjëve të saj.* Greqia u ka mohuar grekëve autoktoninë dhe veçantinë e tyre etnike duke e përzierë atë me etni të tjera jo greke dhe duke e identifikuar atë vetëm me kishën ortodokse.  Greqia ka vrarë e dëbuar qindra mijëra grekë myslimanë nga vendbanimet e tyre në Greqi (që është e paimagjinueshme për shqiptarët) dhe me veprimet e veta kriminale ka shkaktuar masakrimin e grekëve të krishterë gjetiu, jashtë kufijve të saj. Shtetit grek nuk i ka interesuar asnjëherë mirëqenia e grekëve, as në Shqipëri e as në vende të tjera, por ka objektiv vetëm territorin. Në 100 e kusur vite të ekzistencës së shtetit shqiptar, shteti grek nuk ka dhënë asnjë kontribut të qenësishëm për rritjen e mirëqenies dhe prosperitetin e minoritetit grek në Shqipëri. As dje, as sot.  Përkundrazi, ka sjellë në Shqipëri konflikte dhe luftë, duke shkaktuar mjerim e varfëri dhe duke vënë në rrezik të ardhmen e minoritetit në trojet e veta.

Lexo shkrimin me titull "Grekët, viktimat e para te neo-helenizmit".

Shumëkush, veçanërisht neo-pellazgjistët me në krye Kocaqin, mund të mendojë se përballja me shtetin grek dhe politikat shoviniste që ka ndjekur historikisht ndaj minoriteteve dhe popujve fqinjë është thjesht një çështje karshillëku, ose reciprociteti politik. Dmth, sikur mjafton që edhe ne të bëjmë të njëjtën gjë, dmth t'i përgjigjemi me të njëjtën monedhë dhe jemi në rregull. Medoemos që diçka do të arrijmë.

Lexo shkrimin me titull "Rrena, legjenda dhe pseudoshkencë"

E pra, Turqia ka qenë një shtet që i është përgjigjur Greqisë dhëmb për dhëmb. Gjatë luftës greko-turke 1919-1922, Turqia iu përgjigj masakrave të ushtrisë greke kundër myslimanëve me po aq kafshëri, duke kryer masakra kundër të krishterëve. Madje, dëboi 1 milion e kusur të krishterë nga vendbanimet e tyre në Turqi, shumica dërrmuese grekë.  E megjithatë, Greqia prapë nuk zuri mend. Ajo vazhdoi politikat agresive asimiluese dhe nxiti konflikte të tjera ndëretnike e fetare në dekadat në vazhdim, përfshi luftën e Qipros, ku komshinjtë u masakruan me njëri-tjetrin në mënyrë barbare, gjë që u pasua me ndërhyrjen e ushtrisë turke dhe ndarjen e ishullit më dysh.  

Tani, kur Greqia nuk zuri mend nga gjithë ato humbje e dështime luftarake prej Turqisë, si do zërë mend nga klithmat politike të Shqipërisë së këputur? Çfarë veprimi politik mund të bëjë Shqipëria sot që t'i dhembë politikës greke e ta bëjë të reflektojë? Edhe pse ushtria greke la 300 të vdekur brenda kufirit shqiptar gjatë provokacioneve të gushtit 1949, shteti grek nuk hoqi dorë asnjë çast nga politikat armiqësore kundër Shqipërisë, duke u bërë platformë e inkursioneve të shumta agjenturore e duke e izoluar edhe më shumë, si politikisht ashtu edhe ekonomikisht, minoritetin grek në Shqipëri.  

Kur rifilluan gërr-vërret ushtarake me Turqinë për ato dy shkëmbinjtë në Egje, shumë politikanë e madje edhe njerëz të thjeshtë treguan entuziazëm të papërmbajtur për nisjen e një lufte të re. Vetë shoqëria greke është gjerësisht e indoktrinuar për të mbajtur gjallë konflikte dhe vuan nga deliri i madhështisë. Ka shumë qytetarë grekë të të gjitha etnive që kanë mentalitet xhihadisti dhe janë gati të sakrifikojnë jetën e tyre dhe të familjarëve të tyre për çështje ideologjike pa bereqet. 

Shoqëria shqiptare nuk prodhon në kohë paqeje ekstremistë trushpëlarë si Kaçifa, sidomos në kohëra kur nuk ka asnjë konflikt, askush nuk shtypet politikisht, kur shoqëritë priren të shkojnë drejt integrimit, kur komunitetet kanë më shumë mundësi për zhvillim ekonomik, etj. Greqia vazhdon i prodhon këta specie dhe ka mjetet financiare e ushtarake t'i mbështesë, paçka se është një nga vendet me nivelin më të lartë të mirëqenies në botë, ka një turizëm të jashtëzakonshëm dhe gëzon mbështetjen e pakufijshme të BE-së në çdo hap, edhe kur shkel në dërrasë të kalbur.

Të gjitha këto ndodhin sepse Greqia nuk është një shtet normal, që përpiqet të krijojë fqinjësi të mirë dhe politika rajonale stabilizuese. Greqia është një çiban në bythën e Ballkanit, një pikë strategjike në Mesdhe, një gur shahu për fuqitë europiane. Kështu ka qenë gjithmonë. Greqia u krijua nga fuqitë europiane për manovra politike e diversion në Mesdhe* dhe vazhdon të ketë mbështetjen e pakufizuar të BE-së për çdo çështje politike, edhe pse ka dëshmuar më shumë se një herë që nuk meriton të jetë pjesë e Bashkimit Europian, si politikisht ashtu edhe ekonomikisht.

* Lexo shkrimin me titull "Lufta e pavarësisë së Greqisë - sa patriotike ishte dhe kush qëndronte pas saj".

Si është e mundur që, ndonëse Greqia nuk njeh minoritetet (përveç atij të Ksanthit), asnjë vend i BE-së dhe asnjë institucion i BE-së nuk i ka bërë ndonjëherë ndonjë kritikë serioze për respektimin e të drejtave të njeriut!? Pse nuk e ka penguar ky fakt integrimin e Greqisë në BE, por kanë bërë një sy qorr e një vesh shurdh? Si është e mundur që, në këto 34 vite demokraci, çështja e pazgjidhur çame nuk është ngritur asnjëherë as nga BE, as nga institucionet e të drejtave të njeriut, ndërkohë që Greqia është e lirë ta përdorë minoritetin grek për të penguar integrimin e Shqipërisë në BE? Si është e mundur që, ndonëse ekonomia greke falimentoi keq në krizën e vitit 2008, dhe shteti grek vërtetoi që ishte tërësisht i paaftë të menaxhonte fondet e BE-së, duke i vjedhur ato sa majtas-djathtas, Greqia vazhdon të mbetet anëtare e tregut europian!? Dhe si është e mundur që vazhdon të përfitojë paketa ndihme me miliarda euro? Dhe si është e mundur që Greqia hedh vickla pa fund dhe askush nga fuqitë e BE-së nuk e vë ujin në zjarr!?  

Të bëjmë një krahasim dhe të shohim sa e do Europa Shqipërinë dhe sa e do Greqinë. Që nga viti 1981, Greqia ka përfituar nga institucionet financiare të BE-së midis 100-140 miliardë euro. Nëse e ndajmë në dhjetëvjeçarë, del që Greqia ka përfituar plot 28 miliardë euro në dhjetëvjeçar. (PBB i Shqipërisë është 18 miliardë euro). Për krahasim, duke filluar që nga viti 1992, kur ra regjimi i diktaturës, pra në tre dekada demokraci, Shqipëria ka përfituar nga institucionet financiare të BE-së gjithsej rreth 2 miliardë euro, ose 400 milionë euro në dhjetëvjeçar. Për krahasim, gjatë diktaturës, Shqipëria ka arritur t'i marrë Bashkimit Sovjetik dhe Kinës midis 28-33 miliardë dollarë në 30 vjet, që do të thotë se mund të ketë përfituar, në rastin më të mirë, rreth 1.1 miliardë dollarë në dhjetëvjeçar. (Duke llogaritur inflacionin).   

Pra, na del që në dhjetëvjeçar, Greqia ka përfituar nga BE-ja 70 herë më shumë fonde se Shqipëria. E megjithatë, Greqia prapë falimentoi. BE-ja nxitoi t’i jepte shtetit grek një terapi të plotë ringjalljeje, që s’dihet kur do japë rezultate, dhe sot mbi 500.000 grekë kanë emigruar drejt BE-së për një jetë më të mirë. Askush nuk ankohet për këtë. Në krahasim me Greqinë, Shqipëria ka marrë disa kruajtëse dhëmbësh, ndërkohë që i kanë vënë njëqind kërkesa e pengesa si kusht për t’u integruar në BE*, përveç faktit që qytetarët shqiptarë u mbajtën për një kohë të gjatë në izolim të plotë nga BE-ja dhe sot ende bëjnë shumë zhurmë për migracionin e shqiptarëve, a thua se iu shëmben shtyllat e shtetit prej shqiptarëve.**

* Lexo shkrimin me titull "A mund të krahasohet Shqipëria me perëndimin?"

** Lexo shkrimin me titull "Çfarë po ndodh me Shqiperinë sot?"

Kështu që, edhe sikur Shqipëria të kishte adoptuar ndonjë politikë armiqësore e mohuese ndaj minoritetit grek, këto masa nuk do kishin sjellë asnjë ndryshim në politikat e shtetit grek ndaj minoriteteve të veta. Është njësoj si t'i biesh samarit që të dëgjojë gomari. Përkundrazi, politikat anti-greke vetëm sa do të kishin sjellë më shumë vuajtje te minoriteti, gjë që do t'i shtynte ata drejt revoltave antishqiptare dhe trazirave që do të mund të sillnin më shumë probleme sesa zgjidhje, siç ka ndodhur me shqiptarët jashtë kufijve.  

Pastaj, grekët në Shqipëri janë qytetarë shqiptarë me kombësi të njohur zyrtarisht greke dhe pjesë integrale e shoqërisë sonë. Minoritarët nuk janë automatikisht agjentë të shtetit grek dhe armiq të fshehur të Shqipërisë meqë janë grekë. Ata, dhe gjithë minoritetet e tjera, janë kontribues të mirëfilltë e të barabartë të rritjes së prosperitetit të shoqërisë shqiptare në të gjitha fushat e jetës, si grekë. Këtë ua ka mundësuar Shqipëria dhe shoqëria shqiptare, me gjithë sfidat e vështirësitë e këtyre shekujve të fundit.  

As shteti shqiptar nuk i ka njohur asnjëherë si trup i huaj, siç bën Greqia me çamët apo me myslimanët e Ksanthit, apo Serbia me Kosovën. Sepse, minoriteti grek i përket Shqipërisë dhe jo Greqisë. Ai nuk duhet të konsiderohet si levë politike e një vendi të huaj shovinist, por si një gjymtyrë e pandarë e vendit tonë. Tek e fundit, ka më shumë shqiptarë të shitur (përfshi të shiturit e neo-helenizmit) që i kanë sjellë dëme shqiptarisë sesa minoritarë grekë.

Nuk ka dëm më të madh që mund t'i bëhet shqiptarisë se sa nxitja e urrejtjes kundër minoriteteve në Shqipëri, veçanërisht atij grek dhe arumun. Qarqet shoviniste neo-heleniste dhe vetë shteti grek kanë më shumë se një shekull që bëjnë ç'mos e ç'nuk me qëllim që të fusin fitilat e urrejtjes së ndërsjellë me dy popujve, siç bënë në Greqi e në Qipro, dhe të trumpetojnë lart e poshtë se minoriteti grek (përfshi arumunët) po keqtrajtohet e po shtypet nga shumica "myslimane" shqiptare.  

Fatmirësisht, deri më sot, përveç individëve apo grupeve të caktuara shoviniste, as minoritetet, as shqiptarët nuk kanë rënë pre e këtyre grackave dritëshkurtra. Ata kanë vazhduar të qetë bashkëjetesën, duke injoruar gjerësisht përpjekjet për të nxitur armiqësi ndëretnike.  

Duke futur konfliktin dhe urrejtjen nëpërmjet mohimit të gjuhës dhe etnisë greke, apo edhe gjuhëve e etnive të tjera, Kocaqi dhe gjithë sharlatanët pseudopatriotë neo-pellazgjistë* po bëjnë atë që shovinizmi neo-helenist nuk arriti ta bënte për më shumë se një shekull. Me fushata urrejtjeje e nënçmimi, nacionalistët e pas pilafit po ia dorëzojnë neo-helenistëve argumentet në pjatë argjendi. Po i japin neo-helenizmit shkak për t'u ringjallur e për të zënë rrënjë në shoqërinë shqiptare.  Duke e larguar minoritetin nga shqiptaria, pjesa më e madhe e të cilit sot jeton në Greqi, e duke e shtyrë atë drejt krahëve të shovinizmit neo-helenist, ata po krijojnë kushtet që ai të kthehet në të ardhmen në faktor përçarës, në dëm të harmonisë dhe bashkëjetesës ndëretnike që karakterizon shoqërinë shqiptare. 

Lexo shkrimin me titull "Ideologjia neo-pellazgjiste, kopje e neo-helenizmit."

Pak kush e di që për çdo intervistë, çdo artikull, çdo botim, çdo postim dhe për çdo fjalë kundër etnisë greke në Shqipëri, është dikush në Greqi që mban shënime dhe përgatit raporte, të cilat një ditë do të mblidhen e do të paraqiten para institucioneve ndërkombëtare, veçanërisht atyre të BE-së, me qëllim që pastaj të përdoren si mekanizma institucionalë për të penguar integrimin europian të shqiptarëve, për të krijuar psikozën e minoritetit në rrezik dhe për të nxitur marrjen e vendimeve politike që do të zvarrisin më tej anëtarësimin e Shqipërisë në BE e rrjedhimisht prurjen e fondeve e burimeve ekonomike në vend.

Comments

Shkrimet më të lexuara të muajit

Pse u konvertuan shqiptarët në myslimanë?

Epoka e errët shqiptare

Lufta e pavarësisë së Greqisë - sa patriotike ishte dhe kush qëndronte pas saj?