Epoka e errët shqiptare



Koha e leximit: 36 minuta

..ose si Iluminizmi Europian solli errësirën mbi botën shqiptare.

Epoka e errët shqiptare mund të përkufizohet si periudha midis viteve 1870 dhe 1999-2001, një periudhë gjatë së cilës etnia shqiptare, identiteti kulturor, gjuha dhe vetë populli shqiptar kanë qenë nën një sulm të qëllimtë e të vazhdueshëm ushtarak, politik e social-kulturor, me qëllimin e vetëm që të pengohen të krijojnë një shtet kombëtar me një identitet të bashkuar dhe që të mos arrijnë kohezionin e nevojshëm social e stabilitetin ekonomik që do ti jepte shoqërisë tonë mundësinë e krijimit të kushteve të përshtatshme për zhvillim dhe prosperitet afatgjatë.

Gjatë kësaj periudhe shqiptarët janë përçarë, dëbuar, shtypur, asimiluar, zëvendësuar, izoluar, mohuar etnikisht, madje dhe shfarosur. Shqiptarët kanë qenë vazhdimisht në ikje, në përpjekje për të mbijetuar, duke luftuar për ekzistencën e tyre, për lirinë dhe duke bërë ç'ka qenë e mundur për të ekzistuar edhe një ditë më shumë.

Arkitektët e epokës së errët shqiptare kanë qenë, natyrisht, askush tjetër veçse Fuqitë e Mëdha Europiane, si ato të shekullit të XIX, sidomos Rusia cariste, ashtu edhe ato të kohëve më moderne. Këtë “projekt madhështor” ato e kanë vënë në jetë e nëpërmjet projekteve të tyre imperialiste lokale si Serbia dhe Greqia.

Koncepti i epokës së errët shqiptare, siç do të shtjellohet edhe më poshtë, është një përkufizim që i jep një herë e mirë zgjidhje debatit ndërshqiptar për çështje si “Kush na e ka fajin?” (për gjendjen e sotshme sociale e ekonomike të shoqërisë shqiptare) dhe “Kujt i përkasim?” (botës lindore apo asaj perëndimore).

Ky përkufizim do të shërbejë gjithashtu edhe si pikënisje për të çmitizuar të gjitha ato ide të gabuara që shumë shqiptarë, veçanërisht ata qe e konsiderojnë veten e tyre intelektualë, kanë për vendin, historinë, kulturën dhe popullin e tyre. 

Më poshtë kam renditur të gjitha konceptet dhe ngjarjet kryesore historike në rend kronologjik, duke filluar që nga vitet 1870 deri në vitet 1999-2001, të cilat ilustrojnë konceptin e epokës së errët shqiptare.

Kjo nuk është një listë me ngjarje e fakte të reja apo të pazbuluara. As nuk ka si qëllim që të jetë shteruese apo gjithë përfshirëse. Lista e mëposhtme ka si qëllim të vetëm të ilustrojë në vija të përgjithshme përkufizimin e parashtruar më sipër. Të gjitha konceptet e ngjarjet e mëposhtme janë botërisht të njohura e të dokumentuara.

Gjithashtu, në këtë listë nuk renditen e nuk shtjellohen kundërveprimet shqiptare apo të palëve të tjera në ndihmë të shqiptarëve, të cilat meritojnë një shkrim më vete.

Ideologji dhe koncepte
Filhelenizmi
Megali Idea

Ngjarje në parantezë
Rekonkuista ballkanike

Ngjarjet kryesore

Ideologji dhe koncepte

Filhelenizmi 

...ose dashuria për kulturën Greke (nga Greqishtja philos – mik, i dashur dhe hellênismos – Grek i lashtë, helen), ishte një rrymë e rëndësishme kulturore e politike Europiane që dominoi kryesisht shekullin e XIX. Kjo rrymë kontribuoi në rritjen e ndjenjave filheleniste në shoqërinë europiano-perëndimore, të cilat shtynë figura të tilla të njohura e me autoritet si Lord Bajron, Çarls Nikolas Fabvier, etj, që të mbrojnë e të propagandojnë me zell të madh idenë e pavarësisë së Greqisë prej Perandorisë Osmane.

Shpërthimi i ndjenjave filheleniste në Europën e shekullit të XIX dhe nismat e qarqeve elitare europiane, sidomos ajo ruse, për krijimin e shtetit të pavarur grek ishte një lajm ogurzi për shqiptarët dhe identitetin e tyre etnik pasi “ringjallja e Greqisë” do të thoshte se çdo aspekt tjetër jo helenist prezent në Greqinë osmane do të duhej me kalimin e kohës të asimilohej ose zhdukej sipas nevojës, në mënyrë që t’i linte hapësire ideologjisë së re neo-heleniste.

Neoklasicizmi

Neoklasicizmi ishte një rrymë kulturore perëndimore që dominoi artet vizuale, letërsinë, teatrin, muzikën dhe arkitekturën europiane, e cila merrte frymëzim prej artit dhe kulturës së antikiteti klasik.

Neoklasicizmi vërshoi në Europë si stuhi. Ai dominoi çdo fushë të jetës duke mënjanuar pothuajse çdo rrymë tjetër kulturore. Në kontekstin tonë rajonal kjo do të thoshte se të gjitha kulturat që nuk përputheshin me konceptet e idealizuara të antikiteti klasik, përfshi këtu edhe atë shqiptare, greke (të periudhës osmane), arumune, sllave, etj, do të konsideroheshin si të padobishme dhe të pavlefshme për t’u marrë në konsideratë e për t'u kultivuar, madje përkundrazi, duke u cilësuar si inferiore e treguese të një bote të pazhvilluar.

Ky këndvështrim ka lënë gjurmë të forta e dominon gjerësisht edhe sot e kësaj dite, madje në formë të institucionalizuar.

Supremacizmi

Supremacizmi është tërësia e ideve dhe mendimeve që mbështesin konceptin e superioritetit të një grupi njerëzish ndaj grupeve të tjera, në bazë të racës, etnisë, besimit, klasës sociale, ideologjisë, kulturës, etj. Idetë supremaciste argumentojnë se jo të gjithë njerëzit janë të barabartë dhe se grupe të caktuara njerëzish kanë të drejtën të sundojnë të pacenuar mbi të gjitha grupet e tjera.

Koncepti i supremacizmit ka qenë gjithnjë pjesë integrale e qytetërimeve, në të gjitha kohërat, por në shekujt 18-të dhe 19-të ai mori përmasa krejt të reja, duke u kthyer në një filozofi politike të mirëfilltë, të mbështetur me botime e traktate shkencore, madje edhe me një varg të gjatë politikash shtetërore, të cilat kishin si qëllim justifikimin e imperializmit e kolonializmit që fuqitë Evropiane po zhvillonin fuqishëm në të katër anët e botës. Supremacizmi është shkaktari kryesor i ideologjive antisemitiste e naziste që shkaktuan Holokaustin.

Megali Idea

...ose ndryshe Ideja e (Greqisë së) Madhe (nga gr. Megali – e madhe) ishte një koncept irredentist, në thelb të të cilit qëndronte objektivi për ringjalljen e Perandorisë Bizantine, duke themeluar një shtet grek, i cili do to përfshinte të gjithë popullsitë greke që ndodheshin ende nën Perandorinë Osmane pas luftës së Pavarësisë së Greqisë (1821-1822) dhe të gjitha territoret që “tradicionalisht u përkisnin grekëve” që nga kohët e lashta (territore në Balkan, Azinë e vogël dhe Qipro).

Ky koncept nuk ishte vetëm irredentist por edhe i bazuar në premisa krejt të pavërteta, të cilat përcaktonin territore me popullsi të përzierë që “tradicionalisht u paskëshin përkitur grekëve” dhe që Perandoria Bizantine na paskish qenë një “perandori greke”. Këto koncepte shoviniste kanë kontribuuar në ndërtimin e një narrative të egër anti-shqiptare, që jo vetëm do t’i kthente grekët dhe arvanitët në fanatikë të verbër anti shqiptarë, por do të promovonte idenë se shqiptarët, të pranishëm tashmë në disa territore për më shumë se 800 vjet, do të konsideroheshin deri para pak dekadash si pushtues të huaj që duhet të dëboheshin nga trojet e tyre.

Neo-helenizmi

Neo-helenizmi është ideologjia kryesore që qëndron pas formimit të shtetit modern të Greqisë, politikave ekspansioniste dhe grabitëse të këtij shteti gjatë shekujve 19-të dhe 20-të, narrativës zyrtare historike anti-shqiptare të tij dhe homogjenizimit të popullsisë multi etnike të greqisë nëpërmjet identitetit të sajuar neo-helen.

Neo-helenizmi është një ideologji supremaciste, ekskluziviste dhe absolutiste që mohon krejtësisht etninë, historinë dhe kulturën autoktone të popullsisë së Greqisë, sidomos atë të periudhës osmane, qoftë ajo greke, shqiptare, sllave apo arumune, dhe propagandon identitetin e ri neo-helen, një identitet i falsifikuar etnik e kulturor, i cili e identifikon kombësinë greke ekskluzivisht me bëmat historike të helenëve të lashtë dhe identitetin institucional e fetar të perandorisë bizantine.

Lexo shkrimin me titull "Neo-helenizmi dhe shqiptaria"

Nacionalizmi grek dhe asimilimi

Përveç konceptit të bashkimit (enosis), nacionalizmi Grek ka pasur si një nga shtyllat bazë të tij konceptin e asimilimit. Gjatë periudhës së trazuar të viteve të zgjerimit të shtetit grek, shumë nacionalistë grekë e shikonin popullsinë ortodokse shqiptare, arumune dhe bullgare si një popullsi që mund të asimilohej në identitetin e ri të kombit grek (neo-helenist). 

Greqia osmane e 1821-shit nuk ishte homogjene. Territori i Greqisë kontinentale ishte i mbushur me grupe etnike jo greke e jo greqishtfolëse, prandaj, në mënyrë që të krijohej një shtet solid e i pandërprerë me identitet unik grek, asimilimi i jo grekëve ishte domosdoshëm. Për këtë arsye shteti i ri grek filloi politikat e homegjinizimit, me anë të së cilës popullsive jo greke do t’u imponohej gjuha greke duke nxjerrë në plan të dytë ose duke eliminuar krejt çdo gjuhë tjetër.

Përvetësimi kulturor

...do të thotë që pretendosh pronësi  intelektuale e trashëgimie mbi arritje kulturore e shkencore, të cilat nuk janë arritur, përfunduar apo krijuar si rezultat i punës tënde apo komunitetit ku jeton por të një paraardhësi historik të hamendësuar e të pavërtetuar shkencërisht, dikur në lashtësi.

Përvetësim kulturor mund të përkufizohet përpjekja e shtetit dhe elitave neo-heleniste për të pretenduar pronësinë mbi kulturën e qytetërimit të lashtë helen dhe gjithçkaje tjetër që ka lidhje me të, pa pasur asnjë lidhje direkte me njerëzit e asaj epoke, asnjë kontribut në punën e tyre dhe asnjë lloj vazhdimësie të traditave të tyre, arritjeve shkencore, apo diçkaje tjetër. 

Lidhjen e supozuar mes grekevë të kohëve moderne dhe atyre të lashtë, elitat nacionaliste greke dhe mbështetësit e tyre europianoperëndimorë e kanë përdorur si argument për të vendosur në piedestal e për t’i dhënë vlera të jashtëzakonshme identitetit etnik grek në raport me etnitë e tjera jo greke, si ajo shqiptare, etj, të cilat janë konsideruar si inferiore.

Turko-shqiptarët

Arvanitët kanë qenë gjithmonë një pjesë e rëndësishme e jetës social e politike të Greqisë edhe pse një komunitet në minoritet. Prandaj, çdo tentativë për të krijuar marrëdhënie miqësore mes tyre dhe pjesës tjetër të shqiptarëve është konsideruar si tejet e rrezikshme për stabilitetin e Greqisë nga elitat ultra nacionaliste neo-heleniste (përfshi ata me origjinë arvanite).

Feja ka qenë gjithmonë mekanizmi me efektiv për të krijuar përçarje dhe armiqësi mes komuniteteve të së njëjtës etni. Termi shqiptar turk (shqiptar mysliman), një term që kur është përdorur për herë të parë nuk ka pasur asnjë kuptim negativ, u kthye në epiqendrën e narrativës zyrtare anti-shqiptare të shtetit dhe nacionalistëve grekë, duke i përshkruar shqiptarët myslimanë si armiq mizorë e të pamëshirshëm të grekëve e arvanitëve të krishterë. Edhe sot e kësaj dite, historiografia zyrtare e Greqisë mbron idenë se shqiptarët myslimanë kanë zbritur në Greqi gjatë periudhës së Luftës së Pavarsisë (1821) me qëllim për të vrarë e për të shfarosur të krishterët. Kjo narrative ka qenë tejet efektive për t’i kthyer shumë arvanitë e grekë në robotë të verbër anti-shqiptar.

Vetë-identifikimi etnik

...është një koncept tejet i rëndësishëm në kontekstin e neo-helenizmit për shkak se ky koncept refuzon në mënyrë kategorike të njohë praninë e diversitetit etnik e fetar në territorin e Greqisë. Nuk është e rrallë që të dëgjosh në Greqi njerëz me origjinë shqiptare (veçanërisht Arvanitët) ose të një etnie tjetër, që të shprehen se sot vetë-indetifikohen si grekë etnikë.

Greqia është një vend që është ndërtuar mbi themelet e zdukjes së diversitetit etnik e fetar, dhe prandaj, është afërmendsh që politikat shtypëse kërkojnë edhe që qytetarët e saj të lëshojnë deklarata politike për etninë e tyre, në të kundërt ata do të përballen me pasoja të rënda. Për më shumë se 150 vjet, koncepti i vetë-identifikimit etnik ka qenë e vetmja mënyrë për grupet etnike jo greke që të mbrohen nga politikat shtypëse të shtetit neo-helen, përvetësimi i pronës dhe spastrimi etnik. Koncepti i vetë identifikimit etnik merr rëndësi vetëm kur do të të dëbojnë nga toka e të parëve të tu, kur rrezikon të humbasësh pronën ose kur shteti yt do të të dënojë dhe persekutojë për shkak se i përket një etnie apo feje të  ndryshme nga ajo zyrtare. Vetë identifikimi etnik merr kuptim vetëm kur shteti nuk të lë asnjë alternativë por të detyron të zgjedhësh të identifikohesh me një etni të huaj për t’i shpëtuar reprezaljeve të tij. Vetëm atëherë detyrohet njeriu që të zgjedhë me ndërgjegje etninë me të cilën do të identifikohet, një identitet etnik të rremë.

Vetë-identifikimi etnik është pasqyrimi i një masakër kulturore e identiteti etnik në shkallë kombëtare. Është një manipulim politik e psikologjik dhe shkelje 200 vjeçare e të drejtave të njeriut. Vetë identifikimi-etnik është rezultati i një rasti 200 vjeçar të sindromës së Stokolmit.

Pan-sllavizmi

...ishte një ideologji dhe lëvizje politike e shekullit të 19, e cila përkrahte përparimin dhe integritetin e popujve sllavë. Ndikimin më të madh kjo lëvizje e pati në Ballkan, ku popullsitë sllave ishin sunduar për shekuj me radhë nga perandori jo sllave.

Nën flamurin e pan-sllavizmit, Russia cariste nuk kurseu asnjë burim financiar e logjistik për të ndihmuar krijimin e shtetit më të ri sllav imperialist në Ballkan, Serbisë, dhe në mbështetjen e politikave të saja anti shqiptare.

Nacionalizmi etno-religjioz Serb

Një nga shtyllat e nacionalizmit Serb ka qenë shpallja e pronësisë mbi Kosovën, e ashtuquajtur “Serbi e vjetër”, me pretendimin e “të drejtës historike”, nëpërmjet pranisë së kishave a manastireve të pretenduar Serbe në Kosovë.

Por duke qenë se shumica e popullsisë në Kosovës, të paktën që nga shekulli i 18-të, kishte qenë shqiptare, serbët krijuan një filozofi të tërë ekspansioniste, në thelb të së cilës, ashtu si edhe me nacionalizmin grek, qëndron urrejtja ndaj shqiptarëve, kësaj popullsie të cilësuar si “uzurpatore”, “e huaj”, “e paqytetëruar” myslimane (në disa versione e përshkruar si jo autoktone),  e cila pretendohet se “tradhtoi” “vëllezërit” e krishterë, e shiti veten tek “turqit” dhe që supozohet të ketë dëbuar në mënyrë sistematike serbët nga Kosova, në mënyra nga më qesharaket, që nga sulmet e drejtpërdrejta fizike e deri tek rritja e planifikuar e popullsisë nëpërmjet lindjeve të shumta, me qëllimin e vetëm për tu bërë shumicë në Kosovë.

E drejta historike për të sunduar mbi një territor

...mund të përkufizohet si pretendimi jo legjitim për të sunduar mbi territore të huaja, për shkak të ngjarjeve në të shkuarën e largët, të cilat nuk kanë asnjë lidhje me të tashmen.

Koncepti i të drejtës historike për të sunduar mbi një territor është një sajesë politike për të justifikuar sundimin mbi territore të banuara nga etni të huaja. Ne kontekstin tonë rajonal është përdorur kryesisht nga Serbia dhe Greqia për të justifikuar përfshirjen brenda kufijve të tyre të territoreve të banuara nga popuj jo serbë dhe jo grekë me pretendimin se dikur keto territore kane qenë nën sundimin e tyre ose entiteteve me bazë të supozuar etnike Greke ose Serbe. Koncepti i të drejtës historike për të sunduar është shfrytëzuar si argument politik i brendshëm dhe i jashtëm për të justifikuar zgjerimin e kufijve të tyre drejt territoreve të banuara nga shqiptarë dhe për të mbytur praninë e elementit shqiptar brenda këtyre shteteve.

E drejta historike për të sunduar mbi një territor është argumenti kryesor i narrativës nacionaliste Serbe, nëpërmjet të cilit pretendohet e drejta e sundimit mbi Kosovën. Në këtë kontekst, manastiret e shumta ortodokse në territorin e Kosovës dhe identiteti i supozuar ekskluzivisht serb i tyre paraqiten si prova e pamohueshme të kësaj të drejte. 

Jugosllavizmi

Sllavët e jugut e gjetën gjuhën e përbashkët mes tyre dhe u bashkuan për të formuar një fuqi rajonale me emrin Jugosllavi, e cila do t’i kundërvihej në mënyrë të drejtpërdrejtë popullit të vogël shqiptar. Ky super shtet i ri në rajonin e Ballkanit do t’i jepte Serbisë shoviniste të gjithë fuqinë dhe burimet e nevojshme për të vënë në zbatim politikat e saj anti-shqiptare, duke e vënë kështu popullin shqiptar mes tre zjarreve, vetë Jugosllavisë, Greqisë dhe Italisë.

Dëbimi i shqiptarëve

...është një leksion i mbajtur nga historiani jugosllav Vaso Çubrilloviq, në 7 Mars, 1937. Leksioni shtjellon dinamikat e përbërjes etnike të popullsisë së Kosovës dhe territoreve të tjera të banuara nga shqiptarët në Jugosllavi që nga mesjeta e deri në kohën kur u mbajt leksioni. Pasi shqyrton arsyet pse metodat e vëna në zbatim nga autoritetet jugosllave deri në atë moment, si për shembull, kolonizimi gradual i Kosovës apo reforma agrare e tokës, kishin dështuar, ai sugjeronte në detaje një zgjidhje krejt radikale – dëbimin masiv të shqiptarëve nga trojet e tyre. Dëbimi shihej nga Çubrilloviqi si një masë gjeopolitike që do të parandalonte një irredentizëm të mundshëm shqiptar në të ardhmen.

Edhe pse publikisht autoritetet jugosllave a denoncuan dokumentin e Çubrilloviqit, në të vërtetë ato e mbajtën atë si një manual, të cilin ultra nacionalistët Serbë me Millosheviçin në krye do ta vinin në zbatim para dhe gjatë luftës së Kosovës.

Memorandumi i SANU

...ose zyrtarisht Memorandumi i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Serbisë, është një dokument bocet i përgatitur nga 16 anëtarë të komitetit të Akademisë në vitin 1985-1986.

Disa nga pikat e memorandumit janë:

  • Shqiptarët po kryejnë gjenocid kundër serbëve në Kosovë (f. 41, 56)
  • Në periudhën midis viteve 1690 dhe 1912, 500 000 serbë janë larguar nga Kosova, ku shqiptarët po kryejnë gjenocid. (f. 56)
  • Serbët që jetojnë në Kosovë dhe Kroaci iu nënshtrohen diskriminimit. (f. 58)
  • Çështja Serbe nuk mund të zgjidhet pa bashkimin e plotë kulturor e kombëtar të popullit serb në Jugosllavi. (f. 70-73)

Edhe pse ky dokument u denoncuar publikisht nga autoritetet komuniste Jugosllave, ai vazhdon të mbetet një pasqyrim i qartë i shovinizmit dhe ultra nacionalizmit serb, sidomos kundrejt shqiptarëve.

Albanofobia

Albanofobia nuk është asgjë e re për shqiptarët. Është një fenomen, me të cilin popullit shqiptar i është dashur që të bashkëjetojë për 130 vjet me radhë e në vazhdim. Greqia, Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi janë vendet kur ndjenjat e albanofobisë shfaqen në mënyrën më ekstreme. Në këto vende albanofobia përbën gurin e themelit të nacionalizmit. Media dhe institucionet e këtyre vendeve, veçanërisht ato të Serbisë e Greqisë, kanë investuar aq shumë në krijimin e një imazhi të llahtarshëm të shqiptarit kriminel e të paqytetëruar saqë ai imazh vazhdon të jetë i gjallë edhe sot e kësaj dite në ndërgjegjen e shoqërive të këtyre vendeve.

Imperializmi

Imperializëm mund të përkufizohen përpjekjet e Greqisë, Serbisë, madje edhe Italisë për të aneksuar e për kontrolluar ekonominë dhe jetën sociale të territoreve të banuara nga shqiptarë.

Ekspansionizmi

Ekspansionizëm mund të përkufizohen veprimet e vendeve si Serbia, Mali i Zi, Greqia e Italia, të cilat kanë zgjeruar territoret e tyre në drejtim të territoreve të banuara nga popullsi me shumicë shqiptare.

Kolonializmi

Kolonializëm mund të përkufizohen politikat dhe veprimet për zëvendësimin e shqiptarëve me popullsi jo shqiptare në Nish, Sanxhak, Kosovë, Maqedoni e Çamëri. Si Serbia, ashtu edhe Greqia kanë përpiluar dhe kanë vënë në zbatim politika dëbimi e kolonizimi në territore të banuara nga popullsi me shumicë shqiptare.

Ngjarje në parantezë

Rekonkuista ballkanike

Rekonkuista ballkanike është një përsëritje e Rekonkuistës spanjolle, qëllimi i së cilës ishte shtrirja e kontrollit të mbretërive të krishtera në gadishullin iberik dhe asimilimi i popullsive jo të krishtera (myslimanë dhe çifutë) ose dëbimi nga territoret e tyre. Rekonkuista ballkanike filloi andej nga fundi i shekullit të 17-të dhe arriti kulmin gjatë shekullit të 19-të, gjatë së cilave në Ballkan u masakruan e u dëbuan mbi 3 milionë myslimanë, ndër ta edhe disa qindra mijëra shqiptarë.

Lufta e pavarësisë së Greqisë - 1821 

Gjatë luftës greke për pavarësi, propozimet dhe planet për asimilimin e popullsisë shqiptare në identitetin e ri grek ishin tashmë shtruar për diskutim. Fanatikët rusë, britanikë e francezë  të filhelenizmit dhe sponsorët e luftës së pavarësisë ishin të vendosur për “ringjalljen” e Greqisë dhe të për krijimin e identitetit dominues etnik grek në dëm të identiteteve të tjera në rajon.

Lexo shkrimin me titull "Lufta e pavarësisë së Greqisë - sa patriotike ishte dhe kush qëndronte pas saj?"

Lufta e pavarësisë së Serbisë - 1815-1870

Serbia fitoi autonominë dhe më pas pavarësinë falë ndihmës së Perandorisë Ruse, e cila në fillim të viteve 1800 kishte nisur një fushatë masive për ringjalljen e pan-sllavizmit nëpërmjet imperializmit ortodoks. E themeluar mbi të njëjtin parim, Serbia do të ndiqte të njëjtat hapa si Rusia, duke e zgjeruar në territore të banuara nga shqiptarët.

Si lufta e pavarësisë së Greqisë ashtu dhe ajo e pavarësisë së Serbisë përkufizohen nga urrejtja ndërfetare dhe janë të përlyera me masakra e krime ndaj minoriteteve civile myslimane në këto troje. Të dyja këto përpjekje do të shtronin themelet e bazës ideologjike mbi të cilën do të zhvilloheshin të gjitha ngjarjet politike të shekullit të 20-të në këtë anë të Ballkanit.

Lexo shkrimin me titull "Skënderbeu - pasaporta europiane e shqiptarëve"

Ngjarjet kryesore

Aleanca e parë ballkanike

Aleanca e parë ballkanike ishte një sistem marrëveshjesh të lidhura nga Serbia në periudhën 1866-1868 me qëllim që të bashkonte kombet ballkanike në një luftë të përbashkët kundër Perandorisë Osmane ose më saktë kundër territoreve shqiptare në Ballkanin Perëndimor. Kjo aleancë u promovua si luftë kundër osmanëve por në të vërtetë ishte një plan për zgjerimin e kufijve të Serbisë imperialiste.

Ndër të tjera, serbët kërkuan edhe aleancën e fiseve katolike të Shqipërisë së veriut. Mirëpo këta të fundit nuk ishin të ndërgjegjshëm për planet e Serbisë. Plani ishte mbajtja e popullsisë së krishterë dhe dëbimi ose zhdukja e popullsisë myslimane. Pastaj, edhe ajo popullsi e krishterë katolike shqiptare që do të mbetej do të detyrohej që të konvertohej në besimin ortodoks e pastaj do të asimilohej, ashtu siç u bë me popullsinë ortodokse shqiptare të Kosovës e Maqedonisë së Veriut.

Lufta ruso-turke 1877-1878

Disfata e Perandorisë Osmane në luftën ruso-turke do të thoshte që Serbia dhe Mali i Zi do të vazhdonin të pa shqetësuara ekspansionin e tyre drejt jugut në drejtim të territoreve shqiptare. Me fitoren e arritur në këtë luftë “vëllai i madh” rus u kishte dhënë atyre lejen për të vazhduar me planet e tyre ekspansioniste.

Traktati i Berlinit 1878

Traktati mes Austro-Hungarisë, Francës, Gjermanisë, Britanisë së Madhe dhe Irlandës, Italisë, Rusisë dhe Perandorisë Osmane për Rregullimin e Çështjeve in Lindje u nënshkrua në 13 Korrik 1878. Si rezultat e fitores së Rusisë cariste kundër Perandorisë Osmane, fuqitë e mëdha ristrukturuan hartën e rajonit të Ballkanit.

Rezultati më i rëndësishëm i konferencës ishte njohja (de jure) rajoneve (de facto) të pavarura të Rumanisë, Serbisë dhe Malit të Zi. Pavarësia e Serbisë dhe Malit të Zi do të krijonte kushtet për dëbimin e popullsisë shqiptare nga rajonet e Nishit, Prokupljes e Sanxhakut. Një pjesë e kësaj popullsie u shpërngul në Kosovë.

Dëbimi i shqiptarëve 1877-1878

...është shpërngulja e detyruar i popullsisë shqiptare nga rajonet që ishin pjesë përbërëse e Serbisë dhe Malit të Zi në 1878. Ky dëbim ishte pjesë e një persekutimi më të gjerë të popullsive myslimane të ballkanit gjatë shpërbërjes gjeopolitike e territoriale të Perandorisë Osmane.

Dëbimi i popullsive shqiptare myslimane prej vendbanimeve të tyre u krye në forma të cilat sot cilësohen si spastrim etnik i pastër, për shkak se viktimat ishin jo vetëm palët ndërluftuese por edhe fëmijë, gra, burra e pleq.

Sipas disa burimeve, deri në 100 000 myslimanë, prej të cilëve gjysma a më shumë ishin shqiptarë, u ndoqën prej shtëpive të tyre me bekimin dhe aprovimin e plotë të fuqive Europiane, të cilat mbështesnin plotësisht një “rekonkuista” ballkanike.

Autoritetet serbe kishin si qëllim të dëbonin popullsitë myslimane për shkak se ato konsideroheshin si të pasigurta dhe të padëshirueshme dhe se duhej të zëvendësoheshin me popullsi të krishtera. Hakmarrja ose “shpagimi” për një trajtim të supozuar negative kundrejt popullsive të krishtera në Perandorinë Osmane gjithashtu u përdor si motivim.

Kryeministri Jovan Ristiq i shikonte territoret e banuara prej shqiptarëve si të rëndësishme nga ana strategjike, prej të cilave mund të vazhdonte më tej zgjerimi drejt Kosovës e Maqedonisë. Gjeneral Kosta Protiq, i cili udhëhiqte ushtrinë Serbe gjatë luftës, nuk dëshironte që Serbia të kishte “Kaukazin” e saj, pasi që minoriteti shqiptar shihej si një shqetësim i mundshëm për sigurinë e shtetit. Shumica e oficerëve madhorë të ushtrisë Serbe dhe vetë Princi Milan e mbështesnin propozimin e Protiqit për dëbimin e shqiptarëve nga tokat e tyre.

Lidhja e Prizrenit 1878

Zyrtarisht Lidhja për Mbrojtjen e të Drejtave të Kombit Shqiptar, ishte një lëvizje politike e armatosur, e cila u themelua në 10 Qershor të vitit 1878 në qytetin e vjetër të Prizrenit, në vilajetin e Kosovës.

Në Korrik 1878, 60 pjesëmarrës të lidhjes, me në krye Abdyl Frashërin, i nisën një memorandum Fuqive të Mëdha, të cilat ishin mbledhur në Kongresin e Berlinit. Në këtë memorandum Lidhja e Prizrenit i kërkonte kongresit zgjidhjen e çështjes shqiptare pas përfundimit të luftës ruso-turke. Mirëpo memorandumi u injorua nga kongresi, i cili, përkundrazi, njohu kërkesat e Serbisë e Bullgarisë kundrejt Perandorisë Osmane. Madje kancelari i Gjermanisë, Oto Fon Bismark, shkoi deri atje sa të deklaronte se kombi shqiptar as që ekzistonte dhe se Shqipëria s’ishte veçse një “nocion gjeografik”.

Kongresi i lëshoi Malit të Zi qytetin e Barit e të Podgoricës si dhe territoret përreth qytezave të Plavës e Gucisë, të cilat shqiptarët i konsideronin si territore shqiptare. Serbia gjithashtu mori disa territore shtesë, të cilat ishin të banuara edhe nga popullsi shqiptare.

Rezistenca e suksesshme e forcave të armatosura shqiptare ndaj vendimeve të Kongresit të Berlinit i detyroi Fuqitë e Mëdha që t’ia kthenin Plavën e Gucinë Perandorisë Osmane dhe ti jepnin si shpërblim Malit të Zi qytetin e banuar me popullsi dërrmuese shqiptare të Ulqinit. Edhe aty shqiptarët refuzuan të dorëzoheshin dhe e mbrojtën qytetin me sukses. Mirëpo Fuqitë e Mëdha i bënë Ulqinit një bllokadë me anije luftarake dhe i detyruan autoritet osmane që të mbanin shqiptarët nën kontroll.

Edhe në rastin e territoreve të banuara nga shqiptarë në Greqi si Çamëria e Thesalia, forcat e armatosura të Lidhjes së Prizrenit arritën t’i mbronin ato prej ushtrisë greke, megjithatë disa territore iu lëshuan me forcë Greqisë në 1881. Fuqitë e Mëdha vendosën në 1881 se Thesalia dhe Arta do t’i jepeshin Greqisë.

I gjendur përpara presionit të shtuar të fuqive të mëdha për të “shtruar” shqiptarët e pabindur, sulltani dërgoi një ushtri të madhe nën komandën e Dervish Turgut Pashës për të shtypur Lidhjen e Prizrenit dhe për t’ia dorëzuar Ulqinin Malit të Zi.

Fuqitë e Mëdha Europiane me qëllim injoruan dhe shtypën (me ndihmën e osmanëve) çdo përpjekje të luftës shqiptare për bashkim kombëtar, duke ua dhënë mbështetjen e tyre fqinjëve tanë, Serbisë, Malit të Zi dhe Greqisë.

Lufta e parë ballkanike 1912-1913

Gjatë luftës së parë ballkanike, Serbia, Mali i Zi e Greqia sulmuan territoret shqiptare që ishin ende pjesë përbërëse e Perandorisë Osmane, me objektivin për ndarë  e për ti aneksuar mes tyre. 

Serbia aneksoi me sukses Kosovën dhe Snaxhakun, Mali i Zi Plavën e Gucinë, ndërsa Greqia aneksoi Janinën e Çamërinë. Megjithatë, falë konflikteve të interesit që Fuqitë e Mëdha kishin me njëra tjetrën dhe për fatin e shqiptarëve, fqinjët tanë nuk patën mundësi që të aneksonin territoret e Shqipërisë së sotshme dhe shqiptarët më në fund shpallën pavarësinë e vendit më 28 Nëntor 1912.

Ky është momenti i parë që nga mesi i viteve 1870 që shqiptarët u lejuan të kishin hapësirë për të “marrë frymë”. Nga një popullsi jo më shumë se 1.5 milion banorë, gjysma e shqiptarëve e gjeti veten si subjekt të shteteve në rritje armiqësore, të cilat nuk do të reshtnin asnjëherë së sulmuari, ndërsa gjysma tjetër e gjeti veten në një gjendje të shkatërruar ekonomike e sociale, pa asnjë aleat të vërtetë, pa mbështetës e pa miq.

Masakrat ndaj shqiptarëve gjatë luftërave ballkanike

Më shumë se 25 000 civilë, shumica fëmijë, gra e pleq, u vranë e u prenë gjatë viteve 1912-1913, në mënyrë që Serbia, Mali i Zi e Greqia të justifikonin në Konferencën e Londrës pretendimet mbi territoret e reja, të banuara nga popullsitë shqiptare.

Lufta e parë botërore 1914-1918

Asnjë vit nuk kish kaluar nga shpallja e pavarësisë dhe fqinjët tanë (Greqia, Serbia, Mali i Zi, Italia) e panë të përshtatshme që të shkelnin me çizmet e ushtrisë në çdo cep të territorit të shtetit të sapo themeluar pa pasur asnjë lloj kujdesi apo respekti për jetët njerëzore dhe qytetarinë. Shqipëria e shpalli veten neutrale dhe nuk u bë palë me asnjë nga forcat në konflikt. Megjithatë kjo nuk i ndaloi fqinjët tanë që të pushtonin, sulmonin, përçanin e të zhvatnin çdo gjë që mund të zhvatej. Neutraliteti i shtetit shqiptar nuk i ndaloi shovinistët që të vazhdonin me zbatimin e axhendave të tyre për zhdukjen e pavarësisë dhe identitetit etnik shqiptar.

Republika Autonome e Epirit të Veriut 1914

Në këtë këndvështrim, edhe pse pavarësia e Shqipërisë u njoh nga Fuqitë e Mëdha Europiane në 1913, Greqia shoviniste nuk i la mënjanë planet e saj për aneksimin e më shumë territoreve shqiptare dhe duke qenë se Protokolli i Firences ia njohu ato territore shtetit të ri shqiptar, në 28 shkurt 1914 Greqia krijoi shtetin artificial kukull të Republikës Autonome të Epirit të Veriut duke shfrytëzuar si pikë mbështetëse praninë e minoritetit Grek në Shqipërinë e jugut.

Në sipërfaqe, ky shtet i ri u krijua kinse me dëshirën e popullsisë së supozuar greke, e cila në realitet ishte vetëm një minoritet fare i vogël. Në të vërtetë, kjo republikë e re artificiale u krijua prej administratës ushtarake greke dhe u mbështet nga bandat e armatosura mercenare, të mbajtura me paratë e shtetit grek. Objektivi kryesor i Greqisë ishte që territoret e kësaj "republike autonome" të aneksoheshin më vonë nga Greqia.

Sapo mbështetja ushtarake e financiare pushoi, bandat e armatosura u shpërbënë krejt dhe në 27 tetor 1914 territoret e të ashtu quajturës Republikës Autonome të Epirit të Veriut u vunë sërish nën kontrollin e shtetit legjitim shqiptar.

Ështe për tu përmendur fakti se minoriteti grek në Shqipëri është shfrytezuar dhe keqpërdorur nga shteti dhe elitat ultranacionaliste greke në Greqi për të arritur qellimet e veta gjeopolitike në rajon. Duke mbajtur pozitë armiqësore ndaj Shqipërise e duke e izoluar atë politikisht e ekonomikisht, Greqia ka dënuar me vuajtje e fukarallëk edhe minoritetin grek në Shqipëri, pasi në vend që të shërbente si urë lidhese e mirekuptimi mes dy shteteve, ai është përdorur si mish për top për fetishet megallomane të Megali Ide-istëve grekë (qofshin këta grekë etnikë, arvanitas, arumunë apo sllavë).

Me politikat e saja shoviniste e ekspansioniste, Greqia ka vënë disa herë në rrezik mirëqenien dhe legjitimitetin e ketij minoriteti në trojet e veta shekullore duke u përpjekur ta përdorë atë si antagonist ndaj etnisë shqiptare, me qëllim ndezjen e fitilave të urrejtjes ndëretnike e përsëritjen e skenareve të 1821-shit. 

Fatmirësisht Greqia ka dështuar gjithmonë në këtë drejtim pasi as shqiptarët e as minoriteti grek (përveç disa elementëve të caktuar) nuk u bënë asnjë herë pre e këtyre planeve konflikt ndjellëse e urrejtje nxitëse.

Kolonizimi i Kosovës 1918-1941-1999

Kolonizimi i Kosovës është tërësia e një sërë programeve të ndërmarra nga mbretëritë e Serbisë dhe Malit të Zi në fillim të shekullit të 20, të cilat u vazhduan nga shteti pasardhës Jugosllavia, dhe që u vunë në zbatim në periudha të ndryshme midis dy luftërave botërore 1918-1941 dhe në kohët moderne në vitin 1999. Gjatë shekullit të 20 Kosova iu nënshtrua 4 fushatave madhore të kolonizimit, qëllimi i së cilave ishte ndryshimi i përbërjes etnike të rajonit, ulja e popullsisë shqiptare dhe zëvendësimi i saj me malazezë dhe serbë.

Këto fushata kolonizimi u shoqëruan me dëbime, masakra, përvetësime të tokës, shkatërrime të pronës, politika asimiluese a diskriminuese dhe përpjekje për t'i dëbuar shqiptarët në Turqi me pahir. Dhjetëra mijëra shqiptarë humbën jetën dhe pronën si pasojë e fushatave të kolonizimit serb të Kosovës.

Të gjitha përpjekjet e Serbisë dhe Malit të Zi për të kolonizuar Kosovën dështuan. Eventualisht, pjesa dërrmuese e kolonëve sllavë të ardhur në Kosovë (rreth 100 000 a më shumë) gjatë kësaj periudhe u larguan ose u dëbuan nga Kosova.

Shkëmbimi i popullsisë mes Greqisë dhe Turqisë 1923

Me kërkesë të Kryeministrit Elefterios Venizellos, Greqia dhe Turqia nënshkruan marrëveshjen kriminale të shkëmbimit të popullsisë, sipas së cilës pothuaj rreth 1.6 milionë njerëz u shkëmbyen mes dy vendeve, mes të cilëve rreth 35 000 ishin shqiptarë myslimanë nga Çamëria dhe krahina të tjera.

Ky “shkëmbim” ishte në të vërtetë një dëbim me forcë i njerëzve prej tokave dhe shtëpive të tyre, në përpjekje për të vazhduar homogjenizimin e shoqërisë Greke dhe zhdukjen e çdo shenje të diversitetit etnik e fetar në Greqi. Në këtë marrëveshje nuk u morën aspak parasysh interesat dhe mendimet e popullsisë së dëbuar dhe as u dëgjua ndonjëherë zëri i tyre. Atyre iu mohuan të drejtat njerëzore dhe vlera e tyre njerëzore u reduktua në më pak se ajo e kafshës.

Pushtimi i Shqipërisë nga Italia Fashiste 1939

Pasi u përpoq me vite të tëra për vënë nën kontroll absolut ekonominë shqiptare e për ta detyruar shtetin shqiptar të vihet nën sundimin politik të Italisë, më në fund Duçja nuk kurseu asnjë shpenzim logjistik për të pushtuar e më pas aneksuar një vend të lirë e sovran, duke kryer kështu aktin e parë të agresionit në luftën e dytë botëror në Europë.

Jo vetëm kaq, po menjëherë pas kësaj, Italia e futi Shqipërinë në një luftë të padëshiruar me Greqinë, duke sjellë kështu jo vetëm krizë ekonomike por edhe duke fshirë kështu përpjekjet 27 vjeçare të luftës për pavarësi dhe ruajtjen e tërësisë territoriale e duke sjellë sërish çështjen e pavarësisë së Shqipërisë në tryezën e diskutimeve, gjë që rrezikonte humbjen e më shumë territoreve ndaj një Greqie të acaruar fashiste e revanshiste.

Megjithatë, as ky fakt kaq i thjeshtë nuk njihet nga historianët Europianë, të cilët konsiderojnë sulmin e Gjermanisë ndaj Polonisë si fillimin e luftës së dytë botërore, duke ia mohuar kështu Shqipërisë të drejtën për tu quajtur viktima e parë e luftës.

Lufta Italo-Greke

Kjo luftë, jo vetëm që solli shkatërrim dhe mjerim në shtëpitë e shqiptarëve, por edhe rezultoi në pushtimin e Shqipërisë së jugut nga ushtria Greke, një rajon, të cilin Greqia e lakmonte qysh prej vitit 1913.

Kjo luftë ishte justifikimi perfekt për Greqinë fashiste që të aneksonte jugun e Shqipërisë ose të ashtu quajturin Epiri i Veriut, gjë që po të ndodhte, do të pasohej nga fushata të tëra dëbimesh, masakrash, shtypjeje dhe asimilimi kundër shqiptarëve. Po të mos ishte për kapitullimin e Greqisë fashiste, Shqipëria, si e njohim sot, do të pushonte së ekzistuari.

Perandoria Britanike

Menjëherë pas sulmit të Italisë fashiste ndaj Greqisë (gjithashtu fashiste), Perandoria Britanike u angazhua intensivisht që të krijonte trazira e kryengritje në Shqipëri, me qëllim dobësimin e prapavijës Italiane. Mirëpo këto kryngritje duhet të kufizoheshin vetëm në sferën e aktivitetit të bandave mercenare, me objektiv që të mos ktheheshin asnjëherë në një kryngritje të përgjithshme popullore, pasi kjo ishte në dëm të interesave greke. Praktikisht, çdo përpjekje e britanikëve për të organizuar kryengritje të armatosur në Shqipëri, përfshi dhe atë të Gani Kryeziut, Greqia e kundërshtoi dhe e sabotoi.

Kur Greqia i sprapsi forcat pushtuese italiane dhe hyri në territorin shqiptar, Perandoria Britanike dha pëlqimin e saj për aneksimin e atyre territoreve nga shteti grek. Me hyrjen e ushtrive greke në territorin shqiptar Britania nuk dha asnjë deklaratë zyrtare për njohjen e pavarësisë së Shqipërisë edhe pse ishte një dokument që e kishte firmosur vetë. Përkundrazi, ata i premtuan grekëve se do të pranonin plotësisht aneksimin e Shqipërisë së jugut prej Greqisë.

Lexo shkrimin me titull "Kush e solli diktaturën në Shqipëri?"

Rezistenca anti-fashiste e popullit shqiptar 1941-1944

Edhe pse në Shqipëri rezistenca anti-fashiste mori një hov të jashtëzakonshëm, me më shumë se 35 000 vetë nën armë në 1943-shin, britanikët nuk e panë për një kohë të gjatë të arsyeshme që ta njihnin këtë lëvizje si forcën politike legjitime përfaqësuese të popullit shqiptar. Përkundrazi, ata mbajtën gjithmonë një pozicion të dyzuar të tipit “tërhiqe, mos e këput” duke mos marrë asnjëherë angazhime serioze kundrejt luftës tonë antifashiste e duke mos ofruar asnjëherë ndihmë të plotë e të gjithanshme ushtarake e logjistike për të zhvilluar shpejt e me sukses një luftë efektive ndaj forcave pushtuese.

Jo më kot britanikët vendosën që të mbajnë deri në momentin e fundit lidhje e kontakte me forca politike të pa pozicionuara për çështje thelbësore të pavarësisë së vendit, e të cilat kishin si vegël kryesore kompromisin, oportunizmin, madje edhe kolaboracionizmin me forcat naziste. Këto forca politike do mund t’i shërbenin politikave pro-greke të Perandorisë Britanike në rast se Lëvizja Anitfashiste Nacional Çlirimtare do të asgjësohej.

Perandoria Britanike i kishte të gjitha mundësitë politike, financiare e logjistike që të krijonte një marrëdhënie miqësore e bashkëpunuese me LANÇ duke e ndihmuar kështu udhëheqjen e saj dhe gjithë popullin shqiptar (përfshi Ballin dhe Legalitetin) që të shikonin tek ajo një aleat për të ardhmen e Shqipërisë dhe fateve të qytetarëve të saj. Por Britanisë nuk i interesonte kjo gjë dhe as që u përpoq ta bënte një gjë të tillë. Përkundrazi, Britanisë dhe aleatit të saj Greqisë, i interesonte përçarja dhe kaosi në radhët e forcave politike shqiptare dhe ata bënë ç’ishte e mundur që ta arrinin këtë qëllim, edhe pas çlirimit të vendit nga forcat naziste.

Lexo shkrimin me titull "LANÇ - zbërthimi i koncepteve të gabuara"

Incidenti i Korfuzit

Incidenti i korfuzit e vulosi një herë e mirë pozicionin e Perandorisë Britanike ndaj Shqipërisë. Britanikëve nuk u interesonte që në shqipëri të kishte stabilitet politik. Ata kërkonin arsye për të krijuar trazira, e shkaqe për të ndërhyrë në punët  e brendshme të Shqipërisë. Ngjarjet e dhjetëvjeçarit të ardhshëm i vërtetuan plotësisht qëllimet e tyre.

Dëbimi i Çamëve

Nën justifikimin e luftës kundër kolaboracionistëve shqiptarë të nazizmit, një fenomen që ishte i përhapur mes Grekëve dhe Serbëve po aq ose ndoshta edhe më shumë se sa mes shqiptarëve, forcat e ekstremit të djathtë të EDES, me bekimin e Britanikëve, shfrytëzuan këtë mundësi për të kryer masakra hakmarrëse kundër popullatës civile shqiptare të Çamërisë dhe për të zbatuar planin 100 vjeçar të spastrimit etnik të popullsisë myslimane nga territori i Greqisë, për të gjitha moshat, pavarësisht pjesëmarrjes së tyre apo jo në luftë. 45-50 000 shqiptarë, shumica fëmijë, gra, pleq e meshkuj jo luftarakë u ndoqën nga Çamëria për të gjetur strehë në Shqipëri.

Pasi shteti grek rivendosi kontrollin mbi rajonin e Çamërisë, vetëm 2000 shqiptarë u dënuan si kolaboracionistë nga gjykatat greke, por shteti grek, në një mënyrë tipike fashiste, i konsideroi të gjithë shqiptarët e dëbuar si kolaboracionistë të nazizmit dhe tradhtarë  duke iu mbyllur kështu rrugën për t'u kthyer në pronat dhe shtëpitë e tyre. Jo vetëm kaq, por pronat e shqiptarëve iu dhuruan popullsive etnike greke të ardhura nga Turqia.

Në dekadat e mëvonshme dhe pas rënies së komunizmit, Greqia “demokratike”, pjesëtare e BE (dhe as ndonjë shtet i BE) ende nuk ka bërë asnjë përpjekje institucionale apo të ketë pranuar ndonjë thirrje për zgjidhje paqësore e demokratike të kësaj çështjeje të pazgjidhur, me qëllim pajtimin politik mes dy kombeve, duke e konsideruar çështjen e dëbimit të rreth 45 000 nënshtetasve të saj si një çështje jo ekzistuese.

Përpjekja jugosllave për përlarjen e Shqipërisë

Nën petkun e miqësisë komuniste internacionaliste dhe duke shfrytëzuar luftën e mosmarrëveshjet mes lidershipit të komunistëve shqiptarë, Jugosllavia e Titos bëri përpjekje të gjithanshme për ta kthyer Shqipërinë në republikë të shtatë të federatës jugosllave. Ky bashkim, ose më mirë, kjo përlarje do të kishte qenë zbatimi i suksesshëm i planit të shekullit të 19 për krijimin e federatës ballkanike, një entitet i dominuar nga shumica sllave në Ballkan dhe, ekzistenca e së cilës do të zhdukte nga harta e botës shtetin e pavarur shqiptar dhe rëndësinë e tij si një pishtar i mbijetesës së identitetit shqiptar në Ballkan.

Fatmirësisht ky plan u shmang dhe në dekadat që pasuan, edhe pse nëpërmjet sakrificave dhe vuajtjes, kombi shqiptar pati hapësirën e nevojshme për të fuqizuar e për vulosur një herë e mirë identitetin e vet etnik e politik në arenën rajonale e ndërkombëtare.

Provokacionet e gushtit 1949

Në gusht 1949 forcat qeveritare greke, në bashkëpunim dhe me mbështetjen e plotë të Perandorisë së Britanisë së Madhe dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, bënë një përpjekje të jashtëligjshme ushtarake për të hyrë me luftë në territorin e Shqipërisë. Ky sulm kryhej, medemek, në kontekstin e luftës kundër forcave komuniste greke në zonën e malit të Gramozit.

Ushtria greke e justifikoi përpjekjen për të pushtuar Shqipërinë me arsyen se qeveria shqiptare po lejonte forcat komuniste greke që të organizonin sulme nga territori i Shqipërisë drejt Greqisë.

Ndonëse ishte e vërtetë që nëpërmjet Shqipërisë po kanalizoheshin të gjitha furnizimet ushtarake sovjetike për forcat komuniste greke, pretendimi se në territorin shqiptar po organizoheshin sulme drejt Greqisë ishte i pavërtetë.

Duke sulmuar Shqipërinë, qeveria greke vriste dy zogj me një gur: hiqte qafe komunistët grekë dhe aneksonte Shqipërinë e jugut, me aprovimin e plotë të Britanikëve dhe Amerikanëve, një plan që kishte qenë në axhendën e Greqisë për më shumë se 100 vjetë e që do të vazhdonte të ishte aktiv deri në fillim të viteve 90.

1948-1953

Nga viti 1948, pas shkëputjes me Jugosllavinë komuniste e deri në vitin 1953, ushtria greke kreu 1827 provokacione të armatosura kundrejt Shqipërisë, duke ndikuar kështu në mënyrë të drejtpërdrejtë në krijimin e një regjim diktatorial agresiv e një fryme politike të tensionuar brenda vendit.

Menjëherë pas luftë civile, qeveria greke krijoi organizatën terroriste të quajtur Komiteti Qendror për Përpjekjet Vorio-Epirote, objektivi final i së cilës, siç e tregon edhe emri i saj, ishte aneksimi i Shqipërisë së jugut, nëpërmjet metodave të krijimit të trazirave dhe kryengritjeve të stisura në Shqipëri.

Kjo organizatë u krijua nga shteti grek me mbështetjen financiare të amerikanëve e britanikëve, të cilët duke dashur të hedhin regjimin komunist me çdo kusht, u bënë instrumente në duart e shtetit shovinist grek, i cili mezi ç’priste rastin për të grabitur më shumë territor shqiptar.

Prishja e marrëdhënieve shqiptaro-sovjetike 1961

Andej nga viti 1955, udhëheqja sovjetike nën Krushovin filloi të ripërtërinte marrëdhëniet me udhëheqjen jugosllave nën Titon. Ndër reformat politike që u ndërmorën kudo në kampin komunist si rezultati kësaj marrëdhënieje të re ishte edhe rehabilitimi i të gjitha figurave politike të cilat ishin akuzuar e dënuar më parë si titiste nën direktivën e Stalinit. Kjo do të thoshte gjithashtu, që edhe të gjitha politikat anti-Tito që ishin zbatuar në të gjitha vendet e kampit komunist do duhet të rishikoheshin ose revizionoheshin.

Mirëpo marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Jugosllavisë ishin krejt të ndryshme nga ato mes Jugosllavisë dhe vendeve të tjera të kampit komunist. Ndërkohë që për të tjerët këto reforma nuk ishin veçse disa manovra politike, për shqiptarët këto ishin çështje të ruajtjes së integritetit territorial dhe pavarësisë. Çdo rehabilitim i figurave politike pro-Tito do të sillte në Shqipëri, në mënyrë të pashmangshme, luftë të brendshme politike e konflikt në udhëheqjen komuniste, e cila do të shfrytëzohej më pas nga jugosllavët për të krijuar përçarje dhe kaos në shoqërinë shqiptare. Kjo gjë kish ndodhur disa herë më parë dhe do të ndodhte edhe më vonë pas rënies së regjimit.

Prishja e marrëdhënieve shqiptaro-kineze 1978

Ashtu si me marrëdhëniet me sovjetikët, edhe prishja e marrëdhënieve me Kinën komuniste kishte ekzaktësisht të njëjtën arsye – Jugosllavinë. Me vdekjen e Stalinit dhe Mao Cedunit, dy figurave ideologjike të padiskutueshme, udhëheqjet përkatëse pasardhëse të të dy vendeve do të ndiqnin një diplomaci më të hapur e paqësore me botën perëndimore e veçanërisht me Jugosllavinë.

Mirëpo, në të dyja rastet, këto politika ishin kryekëput në kundërshtim të hapur me interesat e Shqipërisë dhe kombit shqiptar në tërësi, në atë periudhë, sepse Jugosllavia, me Serbinë në krye, ishte një shtet që ishte themeluar mbi bazat e anti-shqiptarizmit. Kështu që, çfarëdo politikash miqësore që superfuqitë do të ndiqnin kundrejt Jugosllavisë, ato do ta nxirrnin Shqipërinë në plan të dytë e në mëshirë të fqinjit të saj më të madh armiqësor.

Periudha e izolimit të plotë 1979-1999

Pas prishjes së marrëdhënieve me Kinën komuniste, Shqipëria u detyrua të futet me zor në izolim të plotë politik e ekonomik, pa aleatë, pa miq, pa mbrojtës, pa mbështetës e pa partnerë. Natyrisht që pasojat  e këtij izolimit total do të ndiheshin në ekonominë e vendit dhe efektet e tij nuk do t’i vuante askush tjetër veçse shoqëria shqiptare.

Ndarja e botës në dy blloqe kryesore politike e ushtarake do të thoshte se në çdo rast e për çdo çështje, njëri bllok do të mbështeste me doemos Jugosllavinë dhe politikat e saj anti-shqiptare ndërsa blloku tjetër do të mbështeste me doemos Greqinë dhe politikat e saj anti-shqiptare. Ashtu siç ndodhi edhe në vitin jo shumë të largët 1939, kur Perandoria Britanike, dhe praktikisht çdo fuqi tjetër në botë, shfaqi një mungesë të plotë shqetësimi për pushtimin e Shqipërisë nga Italia fashiste, edhe kësaj radhe, superfuqitë dhe mbështetësit e tyre shfaqën po të njëjtën mungesë interesi ndaj Shqipërisë dhe politikave të saj neutrale e të pavarura.

Edhe një herë, shqiptarët do të bëheshin viktima të politikave anti-shqiptare të fuqive të mëdha europiane perëndimore. Edhe pse ato i kishin të gjitha mundësitë për t’i krijuar Shqipërisë së vogël, të vetmuar e të padëmshme, hapësira bashkëpunimi e tregtie, gjë që e bënë fare lehtë me Jugosllavinë komuniste të Titos, ato vendosën që ta linin vendin tonë në izolim e injorim të plotë, pa kurrfarë konsiderate për faktin se një politikë më miqësore kundrejt Shqipërisë socialiste mund të zbuste presionin e brendshëm politik e rrjedhimisht të krijonte kushtet për një frymë pozitive bashkëpunimi, e cila do të lejonte rivendosjen eventuale të marrëdhënieve formale me perëndimin. 

Nga ana tjetër, elitat politike ultra nacionaliste serbe po e sundonin Kosovën me grusht të hekurt, e ndonëse shqiptarët e Jugosllavisë po zhdukeshin sa majtas-djathtas, asnjë nga fuqitë e mëdha nuk guxoi ta vinte udhëheqjen jugosllave para përgjegjësisë. Asnjëra prej tyre nuk doli në mbrojtje të shqiptarëve dhe të drejtave të tyre, duke i lënë ata në mëshirë të monstruozitetit serb.

E njëjta situatë do të vazhdonte edhe pas rënie së komunizmit. Pasi regjimi komunist ra, Shqipëria dhe qytetarët e saj vazhduan të mbaheshin të izoluar dhe privuar nga e drejta për të lëvizje të lirë dhe punësim në Europën perëndimore. Një komb i tërë u la që të ujdisej me atë çfarë kish mbetur nga regjimi i rrënuar dhe i degraduar komunist e në mëshirë të fatit të vet.

Vetëm me sakrifica të mëdha dhe me shumë vuajtje do të çanin “rrethimin” qytetarët shqiptarë, në kërkim të mundësive të punësimit dhe një jete më të mirë, njësoj siç kishin bërë shqiptarët e Jugosllavisë disa dekada më parë.

Lexo shkrimin me titull "Shkaqet dhe zanafilla e krimit të organizuar shqiptar"

Por vuajtjet e shqiptarëve nuk do të mbaronin aty. Edhe jashtë vendit të tyre të varfëruar ata nuk do të gjenin paqe. Gjithmonë me frikën e dëbimit, shqiptarët e Shqipërisë do të bëheshin edhe një herë subjekte të diskriminimit dhe përpjekjeve asimiluese të shtetit grek dhe mbështetësve të tij në shoqërinë greke. Edhe pse tashmë e zbutur dhe më e shtruar për shkak të politikave paqësore të Bashkimit Europian, numri i shqiptarëve që kanë vuajtur në duart e autoriteteve dhe ultra nacionalistëve grek është tronditës. Janë me dhjetëra mijëra. Albanofobia shtazarake e asaj periudhe, e cila zgjati më shumë se një dekadë, do të studiohet nga historianët dhe sociologët për gjenerata me radhë.

Lufta e Kosovës 1999

Lufta e Kosovës shënoi fillimin e fundit të Epokës së Errët Shqiptare. Në një përpjekje të fundit për të spastruar Kosovën nga shqiptarët, ultra nacionalistët Serbë me Millosheviçin në krye dëbuan me dhunë rreth 1.5 milionë shqiptarë nga tokat dhe vatrat e tyre drejt Shqipërisë e Maqedonisë e Veriut dhe në vepër e sipër kryen me dhjetëra masakra kundër popullsisë civile. Kjo ishte një përpjekje e fundit e dëshpëruar për t’i shkaktuar shqiptarisë dhe pranisë shqiptare në Kosovë një goditje të fundit vendimtare. Mirëpo edhe pse dëmi që shkaktuan ishte i madh, përpjekja e tyre dështoi keqas.

Fatmirësisht për shqiptarët, agimi i shekullit të 21 do të shënonte fundin e ideologjive shoviniste e ekspansioniste në Europë, të cilat kishin filluar të zëvendësoheshin tashmë me ideologji integrimi e bashkëpunimi rajonal. Fuqitë e Europës perëndimore nuk ishin më në "tregun" e mbështetjes aktive të shteteve imperialiste e ekspansioniste në Europë.

Kjo do të thoshte se elitat shoviniste Serbe do të ishin krejt të vetme në orvatjet e tyre anti-shqiptare, pa mbështetje nga vendet Europiane apo Rusia, e cila për fat të mirë po kalonte një fazë tranzicioni dhe nuk ishte vënë ende nën kontrollin e Putinit, i cili padyshim do ta kishte bërë procesin e pavarësisë shumë më të gjatë e më të komplikuar.

Megjithatë, shpëtimi i shqiptarëve të Kosovës nuk erdhi në asnjë mënyrë prej Europës Perëndimore. Po të mos ishte për ndërhyrjen e Shteteve e Bashkuara të Amerikës, europianët do t’i kishin lënë shqiptarët në mëshirë të kriminelëve të armatosur serbë. Paçka se ata nuk po e mbështesnin në mënyrë aktive Millosheviçin, europianët nuk po bënin as ndonjë përpjekje aktive për t’i vënë fre çmendurisë së tij.

Ishin SHBA dhe vetëm SHBA ato që kërkuan me çdo kusht fundin  e hegjemonisë serbe në Kosovë. Ishin SHBA ato që propozuan dhe ndërmorën fushatën masive ajrore kundër forcave serbe dhe ishin SHBA ato që dhanë shtysën për shpalljen e pavarësisë së Kosovës.

Kryengritja e armatosur në Maqedoninë e Veriut 2001

Kryengritja e armatosur për barazi dhe respektim të të drejtave të njeriut në Maqedoninë e Veriut kundër politikave shtypëse të shumicës sllave kundrejt pakicës shqiptare shënoi fundin e Epokës së Errët Shqiptare. Me nënshkrimin e Marrëveshjes së Ohrit, epoka e anti-shqiptarizmit aktiv të sponsorizuar nga ndonjë shtet në Europë mund të konsiderohet e mbyllur.

Lexo shkrimin me titull "Çfarë po ndodh me Shqipërinë sot?"

Përfundime

Shoqëria shqiptare ka shpenzuar më kot shumë kohë për të gjetur fajtorin duke hedhur fajet sa në njërën anë e sa në tjetrën: “Ishin osmanët!”, “Jo, ishin komunistët!”, Jo, ishte Islami, kemi shumë minare!”, “Jo, është gjeografia. Ka shumë male!”, “Jo, fajin e kemi vetë. Ne nuk do bëhemi kurrë njerëz!”, “Jo, është kjo, është ajo”, “Pse jemi të varfër, pse nuk jemi të zhvilluar, pse nuk mund të jemi të pasur, pse nuk kemi shtet, pse, pse, pse....?”, Një mijë pse-ra që nuk marrin asnjëherë përgjigje.

Lexo shkrimin me titull "A kanë qenë shqiptarët historikisht të përçarë?"

E pra, nuk ka asgjë që nuk shkon me shqiptarët, kulturën tonë, gjuhën apo fundja edhe mentalitetin. Ne nuk jemi të ndryshëm nga gjithë njerëzit e shoqëritë e tjera. Nuk ka aspak rëndësi as sistemi i qeverisjes, as lloji i regjimit e as besimet fetare. Asnjë shoqëri nuk mund të lulëzojë e të ecë përpara me të njëjtin hap si bota kur pjesëtarët e saj nënçmohen, përbuzen, shtypen, kërcënohen, dëbohen nga shtëpitë dhe pronat e tyre, izolohen, injorohen dhe sulmohen në mënyrë të vazhdueshme. Asnjë shoqëri nuk mund të funksionojë e vetmuar, pa partnerë, aleatë e mbështetës, sidomos kur kjo shoqëri është një nga më të voglat në të gjithë rruzullin tokësor.

Lexo shkrimin me titull "A mund të bëhen shqiptarët?"

Kjo u vërtetua më së miri me luftën e Kosovës dhe shpalljen e pavarisë së saj. Paçka se me sakricifa të mëdha për popullin shqiptar të Kosovës, e gjithë lufta 80 e kusur vjeçare për liri e pavarësi, me ndihmën e superfuqisë më të madhe botërore u zgjidh me 78 ditë fushatë bombardimi ajror.

E gjithë ajo krizë kulturore, vetë-përçmim, cinizëm dhe allofili ekstreme (dashuria e tepërt për të huajën) që ka qenë dhe vazhdon të jetë e pranishme në shoqërinë shqiptare, janë efekt i drejtpërdrejtë i presionit të madh politik e ekonomik të ushtruar gjatë epokës së errët ndaj identitetit etnik shqiptar.

Lexo shkrimin me titull "Kush e nisi debatin mbi origjinën iliro-pellazge të shqiptarëve?"

Italofilia, grekofilia, kristianofilia, perëndimofilia, amerikanofilia, turkofilia e kohët e fundit edhe islamofilia e arabofilia, e madje edhe ndonjë fili tjetër. Të gjitha këto kanë qenë dhe janë shprehje të zbrazëtisë kulturore e shpirtërore të shoqërisë shqiptare, që njerëzit përpiqen më kot t’i mbushin e t’i kompensojnë me koncepte e ideologji,  të cilat nuk përshtaten kurkund me realitetin dhe mentalitetin e shoqërisë sonë.

Pra, për situatën tonë të sotshme dhe fatin e zi që na pllakosi shekullin e fundit nuk mund të fajësojmë askënd përveç se Fuqitë e Mëdha Europiane dhe politikat e tyre imperialiste. Identiteti shqiptar u bë viktimë e forcës shkatërruese të elitave të tyre të fuqishme dhe e rrymave politke që sunduan shekujt e 19-të dhe 20-të.

Lexo shkrimin me titull "Shqipëria si pellgu me llucë"

Megjithatë, edhe pse epoka e errët shqiptare ka përfunduar dhe sot askush nuk kërkon më shkatërrimin e identitetit tonë etnik, efektet e politikave dhe ideologjive një shekullore anti-shqiptare vazhdojnë të ndihen në të gjitha sferat politike e ekonomike. Përveç faktit që shqiptarët ndodhen sot në pozita krejt të pafavorshme për të marrë pjesë në garën ekonomike të globalizimit e për të ndjekur një proces normal të integrimit në BE, ato qarqe elitare Europiane që e duan Shqipërinë dhe shqiptarët jashtë BE-së nuk janë të pakta, e ndër to, ato që shohim me Hollandën janë vetëm maja e ajsbergut.

Lexo shkrimin me titull "A mund të krahasohet Shqipëria me perëndimin?"

Me pasuritë e saja të pafundme, Europa i ka të gjitha mundësitë financiare e logjistike që nëpërmjet institucioneve të saj të BE, për një periudhë dhjetë vjeçare, t’i zhbëjë të gjitha padrejtësitë dhe efektet e izolimit politik një shekullor shqiptar. Mirëpo është qartë se mbeturinat e mentalitetit imperialist europian janë ende të ndjeshme edhe në institucionet e BE. Jam plotësisht i mendimit se po të mos ishte për Amerikën dhe filozofinë e saj për një Europë të bashkuar e të integruar, as Shqipëria nuk do të ishte sot në NATO dhe as shqiptarët nuk do kishin mundësi të lëviznin lirisht brenda hapësirës Shengen, por do të vazhdonin të mbaheshin të izoluar, pa afat, derisa të vinte koha për katastrofën e radhës.

Comments

  1. Me sa duket sot ende mbizotëron ideja e Princ Meternikut.

    ReplyDelete
  2. Cila është ideja e Meternikut?

    ReplyDelete
  3. Pafund aresyetime, pergjigjie fajesime te tjereve per gjendjen tone por nje pyetje vetem mbetet pa pergjigjie. Perse Bota, Europa, iluminizmi a dreqi e i biri e kane me te keq vetem me ne …?

    ReplyDelete
    Replies
    1. Nuk e kanë vetëm me ne. E kanë pasur dhe deri diku vazhdojnë e kanë me myslimanët. Po ta kishe lexuar shkrimin nga fillimi deri në fund, e mos ishe mjaftuar vetëm titujt, nuk do bëje këtë pyetje.

      Delete

Shto një koment

Shkrimet më të lexuara të muajit

Pse u konvertuan shqiptarët në myslimanë?

Lufta e pavarësisë së Greqisë - sa patriotike ishte dhe kush qëndronte pas saj?